Megaoperacioni “Tempulli”, arrestohet një 26-vjeçar i shpallur në kërkim! Shkon në 95 numri i të ndaluarve

26/09/2023 15:07

Një tjetër person i shpallur në kërkim gjatë megaoperacionit antidrogë “Tempulli” është arrestuar.

Nga të dhënat paraprake, Policia e Shtetit bën me dije se në pranga ka rënë 26-vjeçari me iniciale D. Gj..

Shërbimet e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, bazuar dhe në inteligjencën informative, kanë lokalizuar të riun në Rrugën e Kavajës, si dhe janë marrë masat për kapjen dhe vënien e tij përpara përgjegjësisë ligjore.

I riu ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. Me arrestimin e 26-vjeçarit shkon në 95 numri i shtetasve të ndaluar në kuadër të megaoperacionit “Tempulli” në Tiranë.

Më parë, gjatë zhvillimit të këtij operacioni, janë sekuestruar 10 kg lëndë e dyshuar narkotike cannabis sativa, 3.7 kg kokainë, 150 doza heroine, 1 armë zjarri pistoletë, 12 automjete, 78 celularë, 12 peshore elektronike, 3 motomjete, 30 000 euro, 6000 paund, 4 500 000 lekë dhe 12 targa automjetesh.

Vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të shpallur në kërkim. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA