Lista Serbe bëri të ditur përmes një njoftimi se ka shpallur tre ditë zie në komunat e Kosovës, të banuara me popullatë shumicë serbe, për shkak të vrasjes së tre sulmuesve të përshkruar si terroristë nga Prishtina zyrtare, të cilët mësynë të dielën me armë zjarri policinë e Kosovës.
“Datat 26, 27 dhe 28 shtator shpallen ditë zie në komunat me shumicë serbe për shkak të vdekjes së qytetarëve tonë në ngjarjen tragjike në Bajnskë”, thuhet mes tjerash njoftim. Një ditë më parë, autoritetet e sigurisë në Kosovë e akuzuan nënkryetarin e Listës Serbe, Millan Radoiçicin, për organizim dhe pjesëmarrje në sulmit ndaj Policisë së Kosovës. Gjatë një konference për shtyp, ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se autoritetet kanë gjetur harta dhe plane për sulmin e 24 shtatorit, duke argumentuar se nuk bëhej fjalë aspak për një goditje ad-hoc, por për diçka të planifikuar prej muajsh të tërë.
Në bazë të dokumenteve të gjetura, sipas Sveçlës, Radoiçiçi është i lidhur me sulmin. Fshati Banjskë vazhdon të mbetet i bllokuar dhe askush nuk mund të largohet e as të hyjnë aty. Forca të shumta të Policisë së Kosovës janë ende të pranishme në Banjskë dhe banorët nuk mund të dalin nga shtëpitë e tyre, thotë për mediet serbe Dejan Nedeljkovic, banor i Mitrovicës së Veriut, prindërit e të cilit jetojnë në këtë fshat.
Ai thotë se edhe mes banorëve ka pikëpyetje nëse grupi ishte organizuar, ndërsa përcjell mendimin e tij se sulmuesit kanë qenë pa eksperiencë, pasi shumica prej tyre nuk kanë shërbyer në ushtri, dhe se ata mund t’i ketë tradhtuar dikush.
Top Channel