Kryetari i Komisionit për Sigurinë në Kosovë, Bekë Berisha, ka thënë se e kanë përcjellë me shqetësim sulmin terrorist të grupit të armatosur serb të dielën në Banjskë të Zveçanit.
Duke shprehur mbështetjen ndaj Policisë së Kosovës ai tha se të njëjtit me paga të vogla dhe pa asnjë privilegj po e kryejnë detyrën e tyre me patriotizëm të madh.
“Policia e Kosovës me shumë mungesa dhe pa privilegje, me paga të vogla, pa rrezikshmëri dhe pa sigurim shëndetësor më së shumti ka patriotizëm dhe në saj të saj po i kryen detyrat për vendin dhe Kosovën. Dëshirojmë t’i falënderojmë edhe si qytetarë dhe si parlament për punën dhe përkushtimin e tyre”, tha ai.
Megjithatë, Berisha është treguar i matur në komentimin e situatës në veri, pasi tha se komisioni s’ka rol aktiv në këtë ngjarje. Derisa i konsideroi të gabueshme publikimet e fotografive të policëve të njësisë speciale që kanë marrë pjesë në aksion në Bansjkë të Zveçanit.
Këto komente Berisha i bëri pas dështimit të mbledhjes së Komisionit për Siguri, ku ishte paraparë të raportonte ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci./KosovaPress
Top Channel