KFOR-i po përgatitet të shtojë praninë në kufirin Kosovë-Serbi, e pohuar kjo nga shefi i diplomacisë italiane Antonio Tajani, i cili sqaroi se një hap i tillë hidhet me qëllimin të parandalohen përleshjet e mëtejshme, mes shqetësimeve për ripërtëritjen e dhunës në rajon
Ministri i Jashtëm Italian shkroi në Twitter se ka biseduar me presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiç dhe me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, e të dyve u ka përcjellë të njëjtin mesazh.
“Italia, protagoniste e paqes në Ballkan. Bisedova me presidentin Vuçiç dhe kryeministrin Kurti. I kërkova të dyve të favorizojnë dialogun mes palëve. Në marrëveshje me ministrin Italian të Mbrojtjes Guido Crosetto, po punojmë për të forcuar praninë e KFOR-it në kufirin ndërmjet Serbisë dhe Kosovës dhe parandalimin e përleshjeve të mëtejshme”, ka shkruar Tajan.
Lëvizja e KFOR-it vjen pas dhunës së të dielës në fshatin Banjskë në veri të Kosovës, ku një grup personash të maskuar dhe me uniforma ushtarake sulmoi policinë e Kosovës duke vrarë një oficer dhe plagosur një tjetër. Grupi më pas hyri me forcë në manastirin ortodoks në fshatin Banjskë duke vazhduar të qëllojë mbi forcat e rendit.
Përleshja përfundoi kur shumica e sulmuesve u arratisën. Katër nga sulmuesit e armatosur mbetën të vrarë, ndërsa gjashtë vetë u arrestuan. Sulmi u cilësua si akt terrorist nga institucionet e Kosovës dhe diplomatët perëndimorë. Kryeministri Kurti tha se grupi i armatosur kishte mbështetjen e autoriteteve në Serbi, ndërsa presidenti serb Aleksandër Vuçiç, mohoi çdo lidhjeje me grupin.
Top Channel