Ngjarjet në veri të Kosovës bënë që Gjermania të niste me urgjencë në Prishtinë të dërguarin e saj për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin.
Ai zhvilloi në kryeqytetin e Kosovës takime si me udhëheqësit e institucioneve kryesore, ashtu edhe me përfaqësues të partive opozitare. Ai shprehet se e ndërmori këtë udhëtim për të përcjellë nga afër solidaritetin dhe ngushëllimet për vrasjen e policit të dielën në Banjskë të Zveçanit, duke e dënuar sulmin kriminal dhe terrorist ndaj Policisë së Kosovës. Gjetjen e zgjidhjes ai e kërkoi nga Prishtina, duke insistuar në zbatimin e marrëveshjes së dakorduar me Serbinë.
“Është e qartë se nëse dëshironi ta zgjidhni çështjen e sigurisë në kohë afatgjatë ne duhet të kemi një dialog të suksesshëm dhe përfshirja në dialog dhe normalizimi midis Kosovës dhe Serbisë mund të jetë një ndër gurët e themelit të zhvillimit në të ardhmen. Nuk duhet ta ndalojmë këtë tani, ne duhet ta vazhdojmë më tutje, të mundohemi të gjejmë një zgjidhje që të zbatojmë marrëveshjen e Ohrit dhe të kemi një dialog të suksesshëm”, shprehet i dërguari i Gjermanisë për Ballkanin, Manuel Sarraz.
Sarrazin pohoi se për gjetjen e një rruge përpara, do të angazhohet edhe i dërguari i Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ndaj të cilit Kurti ka mjaft rezerva, e këto nuk ka ngurruar t`i bëjë dhe publike. Lajçak e cilësoi sulmin ndaj policisë së Kosovës si akt frikacak e në kundërshtim me parimet e paqes dhe të bashkëpunimit, ndërsa vazhdoi t`i meshojë idesë se vetëm dialogu mund të çojë drejt shtensionimit të situatës. Thuhet se ai planifikon të vizitojë së shpejti Kosovën dhe Serbinë, ndonëse kjo vizitë nuk është konfirmuar ende.
Top Channel