Gara për OSCAR: Shqipëria përfaqësohet me “Alexander”, një histori e vërtetë arratisjeje nga Shqipëria komuniste

26/09/2023 13:33

“Alexander” një bashkëprodhim shqiptaro-amerikan do të përfaqësojë Shqipërinë në garën për OSCAR.

“Një ngjarje sa e rrallë aq edhe përfaqësuese e shumë të tjerave që dëshmojnë sakrificat e jashtëzakonshme të shqiptarëve për liri, është subjekti i filmit dokumentar. Kjo është historia e mekanikut të flotës detare Aleksandër Gruda, i cili në vitin 1990 rrëmbeu një anije luftarake dhe u arratis nga Shqipëria. Liria për të dhe familjen e tij, erdhi në këmbim të një jete”.  Kjo është arsyeja pse Qendra Kombëtare e Filmit ka zgjedhur dokumentarin e Ardit Sadikut për t’u përfaqësuar në kategorinë “International feature film” në ‘OSCAR 2024’.

I lindur nga dëshira për të nxjerrë në dritë histori të luftës njerëzore për liri, filmi dokumentar rrëmon në një moment të rëndësishëm në histori kur Aleksandër Gruda dhe miqtë e tij hartuan një plan të guximshëm për të vjedhur një anije luftarake dhe për t’i shpëtuar regjimit totalitar.  Duke u përballur me zemërimin e armëve të mortajave, helikopterëve dhe mitralozëve, grupi u nis, duke rrezikuar gjithçka për një jetë, në liri.

Kur dëgjova për herë të parë historinë e Aleksandër Grudës, ishte diçka që doja ta bëja menjëherë film, sepse gravitoja drejt historive për luftën e përjetshme për lirinë njerëzore. Aleksandri është një nga shumë njerëz që, duke jetuar nën një regjim totalitar, ëndërronte për lirinë por kur ai e ndërmori këtë udhëtim drejt ëndrrës, e bëri në një mënyrë tronditëse dhe heroike”, thotë Ardit Sadiku, regjisori dhe skenaristi i filmit.

Në këtë rrugëtim drejt lirisë Aleksandri humbi vajzën e tij Anisën, e cila u vra nga forcat e kufirit. Anisa Gruda, 4 vjeç është e vrara më e re me armë zjarri nga komunistët në vitin 1990.

“Alexander” është një bashkëprodhim shqiptaro-amerikan që është filmuar në vende të ndryshme, duke përfshirë qytetin e Nju Jorkut, Shqipërinë, Malin e Zi dhe Australinë. Filmi mori mbështetje nga Qendra Kombëtare Shqiptare e Kinematografisë dhe u prodhua në bashkëpunim me Bayou Road Films, me qendër në Shtetet e Bashkuara.

Shqipëria konkurron rregullisht për Oscar duke nisur nga edicioni i vitit 2009-të.

Historia e vërtetë e arratisjes së Aleksandër Grudës që shkon në OSCAR

E vrara më e re me armë zjarri nga komunistët është një 4-vjeçare nga Shkodra. Vrasja nuk i takon viteve të largëta kur filloi regjimi komunist, por fundit të vitit 1990. Aleksandër Gruda, në vitet 1980-1986 kishte punuar si kujdestar motorist në postën kufitare, shkruan kujto.al.

Ishte liruar nga detyra sepse kishte lejuar një arratisje por edhe sepse i ishte arratisur djali i xhaxhait. Katër vjet pas lirimit, ai ndërmori një akt të guximshëm duke rrëmbyer një nga mjetet detare e duke kaluar kufirin shtetëror.

Rreth orës 12.30 të datës 11.9.1990 në postën kufitare të Zogajt në rrethin e Shkodrës, një grup prej 16 personash nga Shkodra i kryesuar nga ish-nënoficeri Aleksandër Gruda, sulmuan në befasi motoskafin kur ky ndodhej në Shirokë. Pasi zunë në befasi rojën, i marrin armën.

Një ushtar lajmëron në Shirokë për sulmin ndaj motoskafit. Mjetet e atyshme vihen në ndjekje duke qëlluar drejt motoskafit. Nga qitja e armëve vritet vajza e Aleksandrit, Anisa, duke u bërë më e vogla e vrarë në kufi në vitin 1990-të. Trupi i saj mbërriti pa jetë buzë kufirit dhe u varros në Tuz.

Aleksandri dhe familja e tij emigroi në SHBA dhe jetojnë në Nju Jork.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA