Ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, thotë se përshkallëzimi i dhunës në Banjskë të Zveçanit është “një ngjarje tragjike” dhe se po shqyrtohen hapat mëtejshëm për rastin.
“Ne të gjithë duhet të dënojmë vrasjen e një pjesëtari të Policisë së Kosovës dhe gjithmonë na vjen keq për humbjen e jetës, por duhet të vazhdojmë me procesin politik”, tha Hill në Beograd.
Ai theksoi se procesi diplomatik duhet të “forcohet” në ditët dhe javët në vijim, raporton agjencia Beta.
Hill mori pjesë të takimin e përfaqësuesve të shteteve të QUINT-it dhe shefit të delegacionit të Bashkimit Evropian me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç. Por, diplomati amerikan nuk iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve se për çfarë është biseduar me presidentin e Serbisë.
Vuçiç më herët shkroi në Instagram se gjatë takimit me diplomatët ndërkombëtarë kishte kërkuar që misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, “KFOR të kujdeset për të gjitha çështjet e sigurisë në veri të Kosovës”.
Shtetet perëndimore kanë dënuar sulmin ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit. Një grup i armatosur prej rreth 30 personash, sulmuan Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator, duke lënë të vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.
Policia tha se tre sulmues të dyshuar u vranë gjatë shkëmbimit të zjarrit në manastirin e Banjskës, ku u strehua ky grup i armatosur. Edhe gjashtë persona të tjerë janë arrestuar, sipas autoriteteve të Kosovës.
Top Channel