Fshati Banjskë vazhdon të mbetet i bllokuar dhe askush nuk mund të largohet e as të hyjnë aty.
Forca të shumta të Policisë së Kosovës janë ende të pranishme në Banjskë dhe banorët nuk mund të dalin nga shtëpitë e tyre, thotë për mediat serbe Dejan Nedeljkoviç, banor i Mitrovicës së Veriut, prindërit e të cilit jetojnë në këtë fshat.
“Ata [prindërit] i kanë të gjitha gjërat elementare, Policia e Kosovës u solli ilaçe, ushqime e pije duke iu thënë se kjo mund të zgjasë një orë ose disa ditë dhe se ata duhet të jenë të durueshëm”, shpjegon Nedeljkoviç.
Sipas informacioneve që ai ka arritur të marrë, një numër i madh i automjeteve të KFOR-it gjenden në hyrje të Manastirit të Banjskës.
“Miqtë e mi më thanë se forcat e KFOR-it do të kontrollojnë bodrumet e manastirit, ku murgjit ruajnë verën dhe produktet e tjera, për të parë nëse mund të gjendet ndonjë gjë që ka mbetur pas sulmit [terrorist] ndaj policisë së Kosovës”, thekson ai.
Ai shprehet se të gjithë banorët e fshatit janë të frikësuar, pas ngjarjes së rëndë.
“Njësitet speciale të ROSU-së erdhën në dyert e të gjitha shtëpive dhe u thanë banorëve që të mos i afrohen dritareve dhe të shtrihen poshtë krevatit nëse dëgjojnë të shtëna armësh, që të mos i godasë ndonjë plumb”, shton Nedeljkoviç.
Ai thekson se askush nuk e ka kuptuar se çfarë ka ndodhur, pas kësaj ngjarjeje.
“Ka shumë pikëpyetje. A kishte logjistikë që qëndronte pas atyre njerëzve? A i ka organizuar dikush? Mendoj se ata [sulmuesit] ishin pa eksperiencë, ngaqë shumica prej tyre nuk kanë shërbyer në ushtri. A i ka tradhtuar dikush, kështu që kanë mbetur aty dhe kanë vdekur? Për fat të keq, këtë ne mund të mos e dimë kurrë”, përfundon ai.
Kujtojmë se mëngjesin e së dielës në orën 02:34, zyrtarë të Policisë së Kosovës janë sulmuar në fshatin Banjskë, ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku, ndërsa një tjetër u plagos. Në shkëmbimin e zjarrit mes policisë dhe terroristëve serbë, kanë mbetur të vrarë katër sulmues.
Top Channel