Nuk është qartësuar ende nëse Ukraina do t`i mbajë ose jo zgjedhjet e ardhshme presidenciale në mesin e luftës me Rusinë, dhe Zonja e Parë e saj nuk kishte një përgjigje të saktë për pjesëmarrjen ose jo të të shoqit.
Olena Zelenska tha për CBS se nuk është e sigurt nëse bashkëshorti i saj do të kandidojë për një mandat të dytë në vitin 2024. Gjatë një interviste tek “Face the Nation”, u shpreh se aspiratat politike të presidentit ukrainas nuk e kanë pasur vazhdimisht mbështetjen e saj personale.
Megjithatë, shtoi se nëse, ai zgjedh të kandidojë për një mandat të dytë, ajo nuk do të ndihej aq ngurruese sa ndihej gjatë kandidimit të tij të parë në zgjedhjet presidenciale.
“Edhe kur kandidoi për herë të parë, unë nuk isha plotësisht dakord”, i tha Zelenska korrespondentes së CBS, Margaret Brennan. “Por nëse ai kandidon përsëri, nëse e hedh këtë hap për herë të dytë sepse konsideron që është e nevojshme, atëherë mirë, ne tashmë e kemi një përvojë”, shtoi Zonja e Parë e Ukrainës, edhe pse siç tha, nuk është aspak e sigurt për këtë duke pasur parasysh situatën në vend.
“Do të varet shumë edhe nëse shoqëria jonë do të ketë nevojë për atë si president. Nëse ai ndjen që shoqëria ukrainase nuk e dëshiron më në krye të shtetit, ndoshta nuk do ta kandidojë. Unë vetë do ta mbështes në çdo lloj vendimi që do të marrë”, pohoi Zelenska.
Me gati një të pestën e Ukrainës të pushtuar nga forcat ruse, miliona të zhvendosur nga lufta dhe dhjetëra mijëra qytetarë që shërbejnë si ushtarë, mbajtja e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme do të ishte “praktikisht e pamundur” dhe “e pakujdesshme”, sipas zyrtarëve ukrainas dhe ekspertëve zgjedhore që folën për Washington Post.
Top Channel