Ushtria Azerbajxhanit mori kontroll të plotë në Nagorno-Karabak, mijëra armenë largohen nga rajoni

25/09/2023 16:38

Mijëra armenë po largohen nga Nagorno-Karabaku pasi ushtria Azerbajxhanit mori sërish nën kontroll të plotë rajonin e shkëputur.

Ndërkohë, presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan ndodhet për një vizitë në Azerbajxhan për të shprehur mbështetjen për aleatin e tij.

Ushtria e Azerbajxhanit shkatërroi forcat armene në një sulm 24-orësh javën e kaluar, duke i detyruar autoritetet separatiste të bien dakord për të lënë armët dhe për të filluar bisedimet për “riintegrimin” e Nagorno-Karabakut në Azerbajxhan, pas tre dekadash sundimi separatist.

Një raund i dytë bisedimesh midis zyrtarëve të Azerbajxhanit dhe përfaqësuesve separatistë filloi në Khojaly të martën e javës së kaluar, pas takimit të parë, që u mbajt në javën e mëparshme.

Ndërsa Azerbajxhani u zotua të respektonte të drejtat e armenëve në Nagorno-Karabak dhe të rihapte rrugët për furnizimin me ushqime pas një bllokade 10-mujore, shumë banorë vendas kishin frikë nga hakmarrja dhe thanë se po planifikonin të largoheshin për në Armeni.

Qeveria armene tha se 4850 banorë të Nagorno-Karabakut janë zhvendosur në Armeni që nga mesdita e së hënës.

“Ishte një makth. Nuk ka fjalë për të përshkruar. Fshati u bombardua rëndë. Pothuajse askush nuk ka mbetur në fshat”, tha një nga të evakuuarit, që foli me agjencinë e lajmeve Associated Press në qytetin armen të Kornidzorit dhe refuzoi të jepte emrin e saj për arsye sigurie.

Moska tha se paqeruajtësit rusë në Nagorno-Karabak po ndihmonin në evakuimin e banorëve të rajonit.

Ministria e Mbrojtjes e Azerbajxhanit tha të hënën se dy nga ushtarët e saj u vranë nga shpërthimi i një mine, pa përmendur emrin e zonës, në të cilin kishte ndodhur incidenti.

Në një fjalim drejtuar vendit të dielën, Kryeministri armen Nikol Pashinyan tha se qeveria po punonte me partnerët ndërkombëtarë për të mbrojtur të drejtat dhe sigurinë e armenëve në Nagorno-Karabak.

Nëse këto përpjekje nuk japin rezultate konkrete, qeveria do t’i mirëpresë motrat dhe vëllezërit tanë nga Nagorno-Karabaku në Republikën e Armenisë”, tha ai.

Në Armeni ndërkohë, protestuesit, që po kërkojnë dorëheqjen e Kryeministrit Pashinyan, vazhduan të bllokojnë rrugët kryesore të kryeqytetit të hënën, duke u përplasur herë pas here me policinë.

Në rajon ndodhen paqeruajtës rusë, që nga viti 2020, kur u arrit marrëveshja e armëpushimit e ndërmjetësuar nga Rusia, që i dha fund një lufte gjashtë-javore midis Azerbajxhanit dhe forcave armene në Nagorno-Karabak.

Kryeministri Pashinyan dhe shumë të tjerë në Armeni akuzuan paqeruajtësit se kanë dështuar të parandalojnë luftimet dhe të mbrojnë popullatën armene. Moska i hodhi poshtë akuzat, duke argumentuar se forcat e saj nuk kishin bazë ligjore për të ndërhyrë, veçanërisht pas pranimit nga Kryeministri Pashinyan të Nagorno-Karabakut si pjesë të territorit të Azerbajxhanit.

“Ne jemi kategorikisht kundër përpjekjeve për të fajësuar palën ruse, veçanërisht paqeruajtësit rusë, të cilët kanë treguar një heroizëm të vërtetë”, tha zëdhënësi i Kremlinit Dimitri Peskov, në një konferencë telefonike me gazetarët.

Kur u pyet nëse paqeruajtësit rusë do të mbeten në rajon, ai tha se “askush nuk mund të thotë asgjë për momentin”.

Nagorno-Karabaku ra nën kontrollin e kryengritësve armenë, të mbështetur nga ushtria armene, në luftimet separatiste, që përfunduan në vitin 1994. Gjatë luftës në vitin 2020, Azerbajxhani mori pjesë të Nagorno-Karabakut, së bashku me territorin përreth, që forcat armene e kishin marrë nën kontroll gjatë konfliktit të mëparshëm.

Në dhjetor, Azerbajxhani bllokoi rrugën e vetme që lidh Nagorno-Karabakun me Armeninë, bazuar në pretendimin se qeveria armene po e përdorte atë për nxjerrjen e mineraleve dhe furnizimin e paligjshëm me armë të forcave separatiste të rajonit.

Armenia tha se mbyllja e rrugës shkaktoi një ndërprerje të furnizimeve me artikuj bazë të ushqimit dhe karburantit për rreth 120.000 banorë të Nagorno-Karabakut. Azerbajxhani e hodhi poshtë akuzën, duke argumentuar se rajoni mund të merrte furnizime përmes qytetit Aghdam të Azerbajxhanit, një zgjidhje të cilën autoritetet e Nagorno-Karabakut, nuk e kanë pranuar, pasi e quajnë atë një strategji të Azerbajxhanit për të vënë nën kontroll të gjithë rajonin.

Të dielën, presidenti francez Emmanuel Macron premtoi mbështetje për Armeninë dhe armenët, duke thënë se Franca do të dërgonte ndihma ushqimore dhe mjekësore për popullsinë e Nagorno-Karabakut dhe do të vazhdonte të punonte për arritjen e një “paqeje të qëndrueshme” në rajon.

Franca, e cila ka një diasporë të madhe armene, ka luajtur për dekada një rol ndërmjetësues në Nagorno-Karabak. Disa qindra njerëz u mblodhën jashtë Ministrisë së Jashtme franceze gjatë fundjavës, duke bërë thirrje për vendosjen e sanksioneve ndaj Azerbajxhanit dhe duke akuzuar Parisin se nuk po bënte sa duhet për të mbrojtur interesat armene në rajon.

“Franca është shumë vigjilente për integritetin territorial të Armenisë, sepse këtu është rreziku”, tha zoti Macron në një intervistë me televizionin France-2 dhe TF1, duke akuzuar Rusinë për bashkëpunim me Azerbajxhanin dhe duke akuzuar Turqinë se po kërcënonte kufijtë e Armenisë.

Rusia ka qenë aleati dhe mbështetësi kryesor i Armenisë dhe ka një bazë ushtarake atje, por gjithashtu ka kërkuar të mbajë lidhje miqësore me Azerbajxhanin. Por ndikimi i Moskës në rajon është zbehur pas fillimit të luftës në Ukrainë, ndërsa ndikimi i aleatit kryesor të Azerbajxhanit, Turqisë është rritur.

Presidenti Erdogan mbërriti në enklavën Nakhchivan të Azerbajxhanit të hënën për bisedime me presidentin e Azerbajxhanit Ilham Aliyev mbi marrëdhëniet Turqi-Azerbajxhan, çështjet rajonale dhe ato globale. Nakhchivani është një territor i Azerbajxhanit që kufizohet me Armeninë dhe Turqinë.

Gjatë udhëtimit të tij njëditor në rajon, Presidenti Erdogan do të marrë pjesë gjithashtu në hapjen e një tubacioni gazi dhe një baze ushtarake të modernizuar, shtoi zyra e tij në një deklaratë.

I pyetur për vizitën e Presidentit Erdogan, zëdhënësi i Kremlinit Dimitry Peskov shprehu shpresën se ajo do të “kontribuojë në sigurinë rajonale dhe do të ndihmojë në normalizimin e jetës në Karabak”./ voa

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA