Bosi famëkeq i mafies italiane, Matteo Messina Denaro, i arrestuar në muajin janar pasi kishte arritur t`i shpëtonte forcave të rendit për plot 30 vjet, vdiq në moshën 61-vjeçare.
Denaro vuante nga kanceri kur më në fund u prangos, pas tri dekadash arratie. Gjendja e tij shëndetësore ishte përkeqësuar javët e fundit dhe për këtë arsye, u dërgua në një spital nga burgu i sigurisë së lartë në Italinë qendrore. Mjekët reshtën së ushqyeri 61-vjeçarin pasi ai ra në koma të pakthyeshme.
Denaro ishte dënuar për krime të shumta, përfshirë këtu dhe rolin e tij në planifikimin e vrasjeve të prokurorëve anti-mafia, Giovanni Falcone dhe Paolo Borsellino më 1992, krime këto që tronditën nga themelet Italinë dhe nxitën një luftë të fortë ndaj mafies siciliane.
Kryemafiozi konsiderohej si përgjegjës edhe për sulmet me bombë në Romë, Firencë dhe Milano më 1993, ku si pasojë vdiqën 10 njerëz, si dhe për organizimin e rrëmbimit dhe vrasjes së djaloshit 12-vjeçar Giuseppe Di Matteo, në përpjekje për ta bindur babanë e tij që të mos dëshmonte në gjyq kundër mafies.
I mituri ishte mbajtur peng për dy vjet, pastaj ishte vrarë duke e mbytur, ndërsa trupin ia shkrinë në acid. Vrasjen e parë, Denaro e kreu kur ishte 18-vjeç. Ai pati deklaruar vetë se kishte vrarë aq shumë njerëz sa do të mjaftonin për të mbushur një varrezë.
Top Channel