Është e qartë se sulmi i armatosur në veri të Kosovës, të dielën, nuk ishte spontan, pohon Charles Kupchan, profesor në Universitetin Georgetown dhe ish-drejtor i çështjeve evropiane në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të Shteteve të Bashkuara në administratat e Bill Clintonit dhe Barack Obamas
Kosova e bëri përgjegjëse Serbinë për sulmin, ndërsa Beogradi zyrtar serbët e Kosovës. Kupchan shprehet për REL se është mëse e dukshme që ky ka qenë një aksion i mirëorganizuar. Për këtë arsye, është edhe i rrezikshëm sipas tij, sepse sugjeron se në terren ka grupe që janë të interesuara për të shkaktuar dhunë dhe janë të gatshëm të organizohen dhe të gjejnë armë që do t’u mundësojnë të bëjnë kështu”, shprehte ai ndërsa shton se nuk dëshiron të spekulojë se kush qëndron pas sulmuesve.
“Mund të jetë një grup i brendshëm me mbështetje nga jashtë, por jo domosdo nga qeveria. Qëllimi i tyre? Të nxisin telashe, më shumë dhunë, të rrisin tensionet për të bërë të paarritshëm bashkëpunimin e palëve të përfshira për të arritur paqen e qëndrueshme”, u shpreh Kupchan.
Albin Kurti, fajësoi më herët Beogradin për incidentin, duke thënë se “krimi i organizuar me mbështetjen politike, financiare dhe logjistike të zyrtarëve në Beograd, po sulmon vendin tonë”. Ndërsa Vuçiç e dënoi vrasjen e policit kosovar dhe tha se nuk ka asnjë justifikim për të.
Ai, megjithatë, tha se incidenti ishte shkaktuar nga rebelimi i serbëve të Kosovës, sepse ata “nuk donin të vuanin më nën terrorin e Kurtit” dhe se ishte thjesht çështje kohe që të ndodhte diçka e tillë
Top Channel