Ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka u gjet fajtor nga gjykata e Posaçme për të treja akuzat që SPAK i adresoi për inceneratorin e Fierit.

Nga dhjetë vjet duke aplikuar zbritjen e gjykimit të shkurtuar trupa gjyqësore theksoi se për “shpërdorim detyre”, “korrupsion dhe pastrim parash” ish ministri të dënohet me 6 vjet e tetë muaj burgim.

Veç kësaj Lefter Kokës i hiqet e drejta për pesë vjet për ushtrim të funksioneve publike. Ndërkohë që nga pasuritë e sekuestruara gjyqësisht, gjykata urdhëroi që t’i konfiskohet vetëm njëra prej tyre  që është njësi tregtare me sipërfaqe 789 metër katror e cila korrespodon me vlerën monetare për të cilën SPAK e akuzon ish-funksionarin se përfitoi në inceneratorin e Fierit.

Për pasuritë e tjera gjithsej katër të tilla, gjykata urdhëroi heqjen e menjëhershme të sekuetros. SPAK humbi në akuzën e ngritur ndaj ish sekretarit të përgjithshëm Alqi Bllako, që e dorëzoi të pandehur për shpërdorim detyre në bashkëpunim, një vepër për të cilën ish deputeti mori pafajësi. Por gjykata antikorrupsion e rikualifikoi akuzën duke e parë fajtor Bllakon për shpërdorim të thjeshtë e duke e dënuar  me dy vjet e tetë muaj burg  dhe heqje të të drejtës për ushtrim funksionesh pesë vjeçarin e ardhshëm.

Biznesmeni Klodian Zoto u vlerësua fajtor për akuzën e korrupsionit akiv të funksionarëve të lartë, për mashtrim, krijim të skemave  mashtruese dhe pastrim parash duke u dënuar me tetë vite burg. Por Zoto mori tri pafajësi të tjera duke rrëzuar SPAK që theksoi se kishte korruptuar funksionarë dhe në sektorin privat.

Gjykata shpalli tre të pafajshëm dhe konkretisht Arben Dervishaj, Juri Ymeraj dhe Arjola Kodra si dhe kompania ITS për të cilën u urdhërua heqja e sekuestros.

Tetë punonjës të tjerë përfshi Pëllumb Abeshin për të cilën u urdhëruar lirimi i menjëhershëm si dhe adminustratorë kompanish u vlerësuan fajtorë dhe morën dënime nga dy vjet deri në 4 .8 muaj burgim. Por këto dënime u konvertuan në shërbim prove dhe dënime me kusht.

Në datën pesë tetor në të njëjtën gjykatë, një trup tjetër gjyqësor do të shpallë vendim për inceneratorin e Elbasanit, ku sërish nën akuzë janë ish ministri dhe ish sekretari i përgjithshëm , të akuzuar për shpërdorim detyre, korrupsion dhe pastrim parash.

Lista e plotë e të akuzuarve

Ish- ministri Lefter Koka, u dënua me 10 vite burg që në aplikim të gjykimit të shkurtuar zbret në 6 vite e tetë muaj. Koka u shpall fajtor për të treja akuzat, Shpërdorimi i detyrës”, “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërore ose i të zgjedhurve vendorë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, ndërsa gjykata i hoqi të drejtën për funksione publike për pesë vjet.

Ish-sekretari i përgjithshëm, Alqo Bllako u shpall i pafajshëm për akuzën “shpërdorim detyre të funksionarit”, por rikualifikohet vepra në “shpërdorim detyre të nëpunësit”. GJKKO vendosi dënimin me katër vite, por me zbritjen e një të tretës së dënimit shkon në 2 vite e tetë muaj burg.

Biznesmeni Klodian Zoto u shpall i pafajshëm për akuzat e “korrupsionit aktiv” dhe u dënua me 2 vite burg për “korrupsion pasiv” plus shtatë vjet “skema mashtruese” plus tetë vjet “pastrim parash”. Në përfundim ai dënohet me 12 vjet burg që në aplikim të gjykimit të shkurtuar zbret në 8 vite burg.

Administratori i Inceneratorit të Fierit, Loran Dusha u shpall i pafajshëm për “korrupsion aktiv”, por fajtor për “pastrim parash” dhe dënohet me 7 vjet që në aplikim të gjykimit të shkurtuar zbret në 4 vite e tetë muaj.

Anëtari i komisionit të dhënies së koncesionit, Florian Muçaj u dënua me 3 vite burg, me gjykim të shkurtuar shkon në 2 vite burg. Ai është liruar burgu, pasi i ka mbaruar dënimi.

Anëtari i komisionit të dhënies së koncesionit, Erjon Murataj u dënua me 3 vite burg, përfundimisht do të vuajë 2 vite burg.

Anëtari i komisionit të dhënies së koncesionit, Azem Shatëri u dënua me 3 vite burg, me gjykim të shkurtuar, shkon në 2 vite burg! Ai është liruar burgu, pasi i ka mbaruar dënimi.

Arbër Denizi, administrator i PIVOT-04, dënohet me 7 vite burg, me gjykim të shkurtuar shkon në 4 vite e 8 muaj burg.

Ish-zyrtari i ministrisë së Mjedisit, Pëllumb Abeshi dënohet me 3 vjet e 6 muaj që në aplikim të gjykimit të shkurtuar zbret në 2 vjet e tetë muaj. Në përfundim pezullohet dënimi dhe vihet në shërbim provë për katër vjet.

Regan Merdani, Administrator i “Froggysh.p.k” 3 vite burg, por gjykata vendosi pezullimin e dënimit dhe konvertimin në shërbim prove.

Administratori i “Itneg sh.p.k” Gentian Zifla,u dënua me  3 vite burg, por gjykata vendosi pezullimin e dënimit dhe konvertimin në shërbim prove.

Anëtarja e komisionit të dhënies së koncesionit, Sabika Cenomeri u shpall fajtore për shpërdorim detyre dënohet me tre vjet që në aplikim të gjykimit të shkurtuar zbret në 2 vjet. Në fund u urdhërua pezullimi i dënimit dhe u vendos shërbim prove për katër vjet.

Mbikëqyrësi i punimeve të inceneratorit, Arben Dervishaj, administratori i kompanisë J.P.Y Juri Ymeraj dhe Arjola Kodra u shpallën  të pafajshëm për të gjitha akuzat.

Kujtojmë se hetimet për inceneratorin e Fierit u mbyllën në dhjetor të vitit 2022, ku SPAK arriti të provonte se ish-ministri Lefter Koka dhe anëtarët e komisionit kanë shkelur ligjin në procedurën e dhënies së koncesionit dhe në lidhjen e kontratës për inceneratorin e Fierit.

Po ashtu është shkelur ligji gjatë shpronësimit të pronës ku do të ndërtohej kjo vepër që me firmën e Lefter kokës dhe Alqi Bllakos u shndërrua nga tokë arë në tokë truall duke i shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm prej 14 milionë lekë.

146 milionë lekë sipas SPAK janë përfituar në mënyrë të paligjshme  nga shoqëria që përfitoi koncesionin dhe nga ajo që ndërtoi inceneratorin. Nga shoqëritë janë pranuar fatura tatimore shitjeje dhe janë paguar detyrimet financiare për këto fatura tatimore për disa shoqëri të tjera të lidhura me ish-ministrin, për punime që në të vërtetë nuk janë kryer.

Vendimet e GJKKO 25.09.2023

FOTO GALERI
5/8

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA