Gjysmë shekulli pasi vdiq dhe 12 vjet pasi u shfaqën akuzat e para se ai u vra me urdhër të diktaturës së Gjeneral Augusto Pinochet, vdekja e poetit më të famshëm të Kilit, Pablo Neruda, mbetet e mbuluar me mister.
Një hetim për të ka vazhduar për më shumë se një dekadë dhe ende nuk ka arritur në një përfundim. Ekspertët mjeko-ligjorë në Kanada, Danimarkë dhe gjetkë kanë shqyrtuar mbetjet e poetit në përpjekje për të përcaktuar se çfarë e vrau atë, por nuk kanë qenë në gjendje të japin një përgjigje përfundimtare.
Ndërkohë, ish-shoferi dhe asistenti personal i poetit dhe njëherazi njeriu që bëri akuzën e parë mbi vdekjen e Nerudas, Manuel Araya, vdiq në qershor të këtij viti, në moshën 77-vjeçare, pa dëshmuar fundin e çështjes.
“Ne kemi nevojë për sqarim,” tha nipi i Nerudës, Rodolfo Reyes në një intervistë të fundit për BBC. “Topi është në fushën e gjyqtares që po heton çështjen dhe ne të gjithë presim që ajo të bëjë një deklaratë”.
Neruda, i cili fitoi çmimin Nobel për Letërsinë në vitin 1971 dhe ishte i famshëm për poezitë e dashurisë, vdiq 50 vjet më parë, më 23 shtator 1973, vetëm 12 ditë pas grushtit të shtetit që solli në pushtet Gjeneralin Pinochet. Ai ishte 69 vjeç.
Poeti më herët kishte vuajtur nga kanceri i prostatës dhe certifikata e tij e vdekjes thoshte se vdiq nga “kaheksia kanceroze” – humbje e jetës e shkaktuar nga sëmundja.
Megjithatë në vitin 2011, Araya, i cili punoi për Nerudën në vitin e fundit të jetës së poetit, pretendoi se Nerudës i ishte dhënë një injeksion vdekjeprurës në spital për ta ndaluar atë të shkonte në mërgim në Meksikë, nga ku ai planifikoi të drejtonte opozitën ndaj regjimit të Pinochet.
Neruda ishte një komunist dhe mik i ngushtë i Salvador Allende, presidenti socialist i rrëzuar në grushtin e shtetit.
“Ata e vranë Nerudën sepse nuk ishte në interesin e Pinochetit që ai të largohej nga vendi,” tha Araya për BBC.
Në përgjigje të pretendimit të tij, eshtrat e Nerudës u zhvarrosën në vitin 2013 dhe iu nënshtruan testeve mjeko-ligjore. Një panel ekspertësh i udhëhequr nga shkencëtarët në Universitetin McMaster në Toronto dhe Universitetin e Kopenhagës arriti në përfundimin se ai nuk vdiq nga kanceri, por ende nuk mund të përcaktonin se çfarë i mori jetën, dhe kështu u urdhëruan teste të tjera.
Në shkurt të këtij viti mjekët janë rikthyer me një raport tjetër. Ata kishin gjetur gjurmë të bakterit clostridium botulinum në një nga dhëmbët e Nerudës.
“Lloji i botulizmit prodhon një nga toksinat më vdekjeprurëse të njohura për njerëzimin, botulinumin, dhe është përdorur si një armë biologjike në disa vende”- thanë ekspertët.
Megjithatë, ata paralajmëruan se nuk kishte asnjë provë përfundimtare se clostridium botulinum kishte vrarë Nerudën, “as që ishte përdorur qëllimisht për ta bërë këtë”. Raporti i shkencëtarëve është tani përpara autoriteteve gjyqësore të Kilit.
Gjyqtarja që shqyrton çështjen, Paola Plaza, pritet të japë një qëndrim për hetimin, megjithëse nuk dihet se kur. Ajo mund të urdhërojë teste të mëtejshme në një përpjekje për të vërtetuar të vërtetën.
Rasti ka ndarë kilianët dhe familjen Neruda. Ndërsa Rodolfo Reyes është i bindur se xhaxhai i tij u vra, një nip tjetër i poetit, Bernardo Reyes, e përshkruan të gjithë hetimin si “patetik” dhe lajm të rremë. Fondacioni Neruda, i cili administron pasurinë e poetit, është i bindur se ai vdiq për shkaqe natyrore.
E veja e Nerudës, Matilde Urrutia, jetoi më shumë se burri i saj për 12 vjet dhe kurrë nuk pretendoi se ai ishte vrarë. Megjithatë, ajo tha se nuk priste që ai të vdiste kaq shpejt dhe se mjekët i kishin thënë se ai kishte gjasa të jetonte për të paktën gjashtë vjet të tjera. Ajo besonte se Neruda vdiq nga një zemër e thyer pasi pa grushtin e shtetit të shkatërronte gjithçka që ai pretendonte politikisht.
Prokurorët kanë marrë në pyetje dhjetëra mjekë, infermierë, diplomatë, politikanë, si dhe miqtë e Nerudës që vizituan poetin në ditët e fundit të jetës. Disa prej tyre përshkruajnë një njeri i cili ishte i sëmurë rëndë. “Ishte e qartë për mua se ai do të vdiste,” tha Aída Figueroa, një mike e ngushtë e poetit që ishte me të në spital në orët e fundit.
Të tjerët nuk ishin aq të sigurt.
Gonzalo Martínez Corbalá, ambasadori i Meksikës në Kili, e pa poetin një ditë para se të vdiste.
“Kam biseduar me Pablo Nerudën për përgatitjet për udhëtimin e afërt në Meksikë. Natyrisht që e lëndonte largimi, por e kuptoi edhe rolin që mund të lunate nga jashtë vendit”- u tha Martínez Corbalá hetuesve.
“Unë nuk pashë asgjë tek Neruda që të sugjeronte se ai ishte në agoni, dhe se nuk mund të fliste apo të mbrohej vetë… ai nuk po vdiste, aq më pak në koma.”
Shumë njerëz pyetën pse Arayas iu deshën gati 40 vjet për të ngritur pretendimin e tij për vrasjen e poetit.
Në përgjigje, shoferi tha se për 17 vjet gjatë diktaturës, do të kishte qenë shumë e rrezikshme të bëhej një akuzë e tillë dhe se më pas, në vitet 1990 dhe 2000, ai u përpoq të bindte shtypin kilian të mbulonte historinë e tij, por “nuk dija si ta bëja këtë. Askush nuk donte të dëgjonte”.
Duke folur për BBC në maj të këtij viti, vetëm disa javë para vdekjes së tij, Araya përsëriti me këmbëngulje pretendimin se: “Neruda u vra.”
“E kam thënë që në minutën e parë dhe do ta them deri në ditën që të vdes”.
Top Channel