Historia e një 28-vjeçari shqiptar i cili mbante të mbyllur bashkëshorten e tij Dafina Kurtin së bashku me vajzën 2 vjeç e gjysmë dhe ushtronte rregullisht dhunë ndaj tyre në fshatin Volos të Greqisë, ka tronditur publikun.
Tortura dyvjeçare vinte për shkak se Dafina kishte lindur një vajzë dhe jo një djalë. Ajo u shpëtua nga banorët e lagjes të cilët kishin dëgjuar britmat e saj. Ata shkuan në shtëpi duke goditur dyert dhe njoftuan policinë. 28-vjeçari tentoi të dilte nga banesa, por fqinjët e ndaluan. Kur policia hyri në banesë gjetën nënën e re e cila kishte përqafuar fëmijën e saj dhe ishte e mbuluar me gjak me shenja mavijosje në qafë, pasi bashkëshorti kishte tentuar ta mbyste.
Nëna e Dafinës ditën e sotme ka qenë në një lidhje telefonike me emisionin “Shqipëria Live”, ku tregoi se dhëndri ushtronte dhunë të vazhdueshme ndaj vajzës së saj, edhe kur ndodheshin në Shqipëri, por edhe kur ata vendosën të jetonin në Greqi. Dhuna u agravura edhe më shumë pasi Dafina lindi një vajzë, pasi Aurel Kurti preferonte të kishte djalë. Ai e mbajti larg çdo komunikim dhe nuk e lejonte të fliste me askënd.
Lume Rama: Vajza e ka njohur Aurelin me dashuri. Ai ka qenë i dhunës dhe shamatës që kur e ka marrë që në fillim. Kanë jetuar në fillim në fshat në Gurë në Klos, lindën një gocë, dilte në qytet dhe gocën e mbante gjithë kohës të mbyllur, edhe kur ishte në Shqipëri edhe në Greqi.
Erjona Rusi: Ju kishte thënë vajza që e dhunonte?
Lume Rama: Po kur iku në Greqi më tha që më dhunon, më bën shumë gjeste, i ka bërë rrahje të papare, ka tentuar edhe ta vrasë. Goca më tha mami e ka ndarë mendjen të më mbysë.
Arjon Muça: E linte vajzën të fliste me ju në telefon?
Lume Rama: Jo, jo i bënte dhunë të paparë. Kur e shihte telefonin i thoshte pse ke folur me të, çfarë i ke thënë, çfarë nuk i punonte, tortura të papara. Kur qante vajza e vogël, i bërtiste, nuk e çonte as për ta vizituar. Në telefon e merrja unë, bëja ofertën sepse nuk i linte asnjë qindarkë në telefon. I thoshte mos i hap perdet, mos i hap dritaret që të mos flasësh me asnjë që është jashtë. Pasi lindi fëmija, kanë bërë sherre e shamatë, e ka rrahur e ka torturuar, derisa ka ndërhyrë i vëllai, ka thyer derën dhe i ka nxjerrë vajzën time prej duarve.
Një lidhje në Skype ka qenë edhe gazetari që jeton në Greqi Etmond Guri, i cili tregoi se Aurel Kurti kishte vendosur edhe kamera në shtëpi.
“Nga dëshmitë e marra nga një komshie, vajzën në fjalë nuk e ka parë kurrë të dilte për të bërë pazaret, madje gjatë kësaj periudhe e ka parë vetëm dy tre herë dhe gjithmonë nuk ka dalë nga perimetri i shtëpisë, vetëm në kopsht dhe aty ka qenë e veshur gati e mbuluar, pra në një formë të çuditshme që asaj i ngjalli dyshime. Edhe komshinjtë e tjerë kishin dyshime. Ndërkohë përtej dhunës dhe problemeve që i shkaktonte fëmijës dhe bashkëshortes, për të patur kontroll të plotë 28-vjeçari kishte vendosur kamera në shtëpi dhe e kontrollonte nga telefoni dhe e kërcënonte me jetë”, shprehet gazetari Etmond Guri.
Top Channel