Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken ka reaguar për sulmin terrorist ndaj Policisë së Kosovë në veri.
Përmes një postimi në platformën “X”, shefi i diplomacisë amerikane i dënoi ashpër sulmet e një dite më parë ndaj forcave të rendit.
“Sulmet e dhunshme ndaj Policisë së Kosovës afër Manastirit të Banjskës, janë të papranueshme. I bëjmë thirrje qeverive të Kosovës dhe Serbisë që të shmangin veprimet të cilat mund të nxisin më tej tensionet dhe t’i kthehen menjëherë dialogut të lehtësuar nga BE-ja”, ka shkruar Blinken.
Në një deklaratë më të zgjeruar të lëshuar dhe nga Departamenti i Shtetit, theksohet se “Shtetet e Bashkuara të Amerikës dënojnë ashpër sulmet e koordinuara të dhunshme ndaj Policisë së Kosovës pranë Manastirit të Banjskës më 24 shtator dhe shprehin ngushëllime të thella për familjen e rreshterit të Policisë së Kosovës të vrarë në krye të detyrës”.
SHBA-të më tej theksojnë se autorët e këtij krimi duhet të mbajnë përgjegjësi nëpërmjet një procesi hetimor transparent.
“Ne u bëjmë thirrje qeverive të Kosovës dhe Serbisë që të përmbahen nga çdo veprim apo retorikë që mund të nxisë më tej tensionet dhe të punojnë menjëherë në koordinim me partnerët ndërkombëtarë për të shtensionuar situatën, për të garantuar sigurinë dhe sundimin e ligjit dhe për t’u kthyer në dialogun e lehtësuar nga BE-ja”, thuhet në deklaratën e lëshuar nga Departamenti i Shtetit, referuar sekretarit Blinken.
Top Channel