Bizneset evropiane në mëdyshje për pozitat e tyre në Kinë

25/09/2023 20:14

Bizneset evropiane në Kinë po vendosin gjithnjë e më shumë në mëdyshje pozitat e tyre në këtë vend, ndërsa po përballen me ligjet e reja më të ashpra të sigurisë, si dhe me një politizim të tregtisë, paralajmëroi të hënën nga Pekini një komisioner i BE-së.

“Kompanitë evropiane janë të shqetësuara me drejtimin që ka marrë Kina”, tha Komisioneri i BE-së për Tregtinë, Valdis Dombrovskis, gjatë një fjalimi në Universitetin Tsinghua, në kryeqytetin kinez.

“Shumë prej tyre po vënë në mëdyshje pozitat e tyre në këtë vend”.

Ai përmendi një ligj të ri për marrëdhëniet me jashtë dhe një përditësim rishtazi të ligjeve kineze kundër spiunazhit dhe tha se ato përbëjnë “shqetësim të madh për komunitetin tonë të biznesit”.

“Paqartësia e tyre lejon hapësira të tepruara për interpretime”, paralajmëroi ai.

“Kjo do të thotë se kompanitë evropiane vështirësohen të kuptojnë detyrimet e tyre për zbatimin e ligjeve: një faktor që ul në mënyrë domethënëse vetëbesimin e bizneseve dhe dekurajon investimet e ardhshme në Kinë”, tha zoti Dombrovskis.

Komisioneri i BE-së për Tregtinë gjendet për një vizitë disaditore në vendin me ekonominë e dytë më të madhe të botës, ku ai pritet të takohet me zyrtarë të lartë për ekonominë dhe të përforcojë mesazhin se BE-ja nuk po kërkon shkëputjen nga ekonomia kineze.

Vizita e tij po bëhet pasi një raport i Dhomës së Tregtisë të Bashkimit Evropian tregoi javën e kaluar se vetëbesimi i bizneseve kishte rënë në nivelet më të ulëta prej dekadash.

“Për disa dekada, kompanitë evropiane lulëzonin në Kinë”, tha presidenti i kësaj dhome tregtie, Jens Eskelund.

Por, pas tre viteve “të turbullta”, tha ai, “shumë prej tyre kanë rimarrë në shqyrtim ato që i mendonin të mirëqena për tregun kinez”.

Kjo vjen ndërsa tensionet tregtare mes BE-së dhe Kinës janë shtuar, pas vendimit të Brukselit për të filluar një hetim për subvencionimet që Pekini bën për makinat elektrike.

Në varësi të përfundimeve të këtij hetimi, BE-ja mund të përpiqet të mbrojë kompanitë evropiane të prodhimit të automjeteve, duke vendosur tarifa ndëshkuese për makinat që mendon se shiten padrejtësisht me një çmim më të ulët.

Ditën pas këtij njoftimi, Ministria kineze e Tregtisë kritikoi atë që e quajti “proteksionizëm të hapur” dhe tha se masat “do të kenë një ndikim negativ tek marrëdhëniet ekonomike dhe tregtare Kinë-BE”.

Duke folur në Pekin të hënën, komisioneri Dombrovskis këmbënguli se Kina vazhdon të jetë një mundësi tërheqëse investimi për bizneset evropiane.

“BE-ja dhe Kina përfituan jashtëzakonisht nga hapja me botën”, tha ai. “Tregtia dhe bashkëpunimi ndërkufitar ndihmuan për të krijuar fuqinë tonë ekonomike dhe gjeopolitike”.

Por, shtoi komisioneri evropian, sfidat në rritje për bizneset rrezikojnë ta shndërrojnë “atë që shumë e panë si një marrëdhënie nga e cila fitonin të dyja palët gjatë dekadave të fundit, në një dinamikë me humbje për të dyja palët gjatë viteve në vazhdim”.

Lufta në Ukrainë

Refuzimi nga Kina për të dënuar luftën e Rusisë në Ukrainë, përbën gjithashtu një “rrezik për reputacionin”, tha ai.

Ky pozicionim i Pekinit “po ndikon imazhin e vendit, jo vetëm tek konsumatorët evropianë, por edhe bizneset”, tha ai.

Kina është përpjekur të pozicionohet si një palë neutrale në konfliktin në Ukrainë, ndërkohë që ndihmon diplomatikisht dhe financiarisht Moskën, izolimi ndërkombëtar i së cilës po thellohet.

Udhëheqësi rus Vladimir Putin pritet të vizitojë Kinën muajin e ardhshëm.

“Kina mbështet gjithnjë pozicionin se çdo vend duhet të jetë i lirë të zgjedhë rrugën e tij të zhvillimit. Kështu që është shumë e vështirë për ne të kuptojmë qëndrimin e Kinës për luftën e Rusisë në Ukrainë, luftë që shkel vetë parimet themelore të Kinës”, tha komisioneri Dombrovskis./voa

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA