Tre sulmues të vrarë e gjashtë të arrestuar/ Sveçla: Gjetëm armatime për qindra persona, territori nën kontroll

24/09/2023 19:36

Tre sulmues mbetën të vrarë dhe gjashtë të tjerë u arrestuan në operacionin e sotëm në manastirin e Banjskës, njoftoi ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla.

Sipas tij, dy nga të arrestuarit janë “të plagosur, me uniformë dhe të armatosur”, ndërsa katër të tjerë kanë qenë në mbështetje të sulmit me radio-lidhje.

Sveçla tha se aksioni në kërkim të sulmuesve të Policisë së Kosovës është duke vazhduar. Policia e Kosovës ka zbuluar edhe një sasi të madhe armatimi, përfshirë eksploziv, uniforma, logjistikë, ushqime e pajisje për barrikada.

“Mund të themi se ishin pajisje për disa qindra sulmues tjerë. Do të thotë, përgatitjet ishin që një kohë, në mënyrë masive, që të sulmojnë policinë e Kosovës, institucionet e Republikës së Kosovës dhe seriozisht ta cenojnë integritetit territorial”, tha Sveçla.

Sipas tij, ka informacione se bëhet fjalë për një “grup terroristësh”.

“Ne kemi vijë kufitare jashtëzakonisht të gjatë me Serbinë dhe hyrjet e këtyre terroristëve nuk janë të pamundshme, por veprimtaria e tyre tash po bëhet e pamundshme”, tha ministri i Brendshëm.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA