Jo vetëm shqiptarët, por edhe të huajt e kanë si destinacion të rëndësishëm vizitën në memorialin e vendvarrimit të heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti-Skënderbeu.
Historia e tij vazhdon të mbërthejë kuriozitetin e tyre, e për këtë arsye, gjithnjë e më shumë ky tempull i rëndësishëm i shqiptarëve njeh rritje të numrit të vizitorëve gjatë gjithë vitit për të kulmuar në sezonin e verës dhe gjatë muajit shtator.
“Është shumë e vështirë të vish në Shqipëri pa dëgjuar për heroin tuaj, i cili ishte shumë i rëndësishëm në epokën komuniste si përfaqësues i identitetit shqiptar dhe ishte i rëndësishëm për të gjithë Evropën në shekullin e 15-të“- shprehet një prej turistëve.
“Nga pjesa e historisë është shumë interesante, interesante të shohësh ndërtesën e vjetër të katedrales, dhe memorialin e Skënderbeut. Është hera e parë dhe impresioni i parë për këtë qytet është mjaft i mirë, atmosfera, ndërtesat, dhe vend shumë i bukur, ndoshta kthehemi sërish dhe e vizitojmë”– tha një tjetër turist.
“Jemi në një turne në grup dhe erdhëm këtu për të vizituar sitin arkeologjik dhe po kënaqemi duke e parë sitin arkeologjik që është i rregulluar dhe i shfaqur mjaft bukur”– u shpreh një tjetër vizitor.
“Është një hero i famshëm shqiptar, dhe është kënaqësi të shohësh zemrën e Shqipërisë. Unë mendoj se njerëzit po përpiqen shumë ta zhvillojnë vendin. Njerzit kanë qenë shumë të mirë me ne dhe çdo gjë po shkon shumë mirë”– u shpreh një tjetër vizitor.
Shqiptarët e Kosovës, emigrantët dhe të huajt parapëlqejnë që të bëjnë ndalesën e tyre edhe në vendin ku është varrosur prijësi i shqiptarëve, ku gjatë këtij muaj ka pritur rreth 1500 vizitorë.
Një pjesë e historisë së përbashkët kryesisht me Europën Qëndrore bën që të ketë shumë vizitor nga Polonia, Hungaria apo Çekia.
Historia e ka paraqitur gjithmonë figurën e tij si një hero, por Zefi thotë që turistët kanë kuriozitet për të mësuar më tepër dhe rreth jetës së tij personale.
Top Channel