Muzeu Kombëtar i Kosovës nuk ka hapësirë të mjaftueshme për të zhvilluar veprimtarinë e tij, për faktin se në kuadër të kësaj ndërtese funksionojnë edhe Instituti Arkeologjik i Kosovës dhe Administrata.

Nga ky institucion thonë se e kanë të vështirë të pranojnë eksponate të reja, për shkak se gjendja e depove dhe laboratorëve nuk është e favorshme. Ndërkaq, “shtëpia” e artefakteve arkeologjike është duke pritur miratimin e projektit i cili përfshinë renovimin e kësaj ndërtese.

Nevoja e madhe për ndryshime në muze është ndierë edhe nga turistët, të cilët thonë se mungon ndriçimi dhe ventilimi. Drejtoresha e Muzeut Kombëtar të Kosovës, Vjollca Aliu tha për KosovaPress, se aktualisht prioritet është miratimi i projektit për renovim, i cili do të ndikojë pozitivisht në pranimin e mëtutjeshëm të eksponateve arkeologjike.

Aliu u shpreh se u përgjigjet kërkesave për prurje të reja janë vetëm me ekspozim të përkohshëm, pasi gjendja aktuale e depove nuk lejon diçka më shumë. Ndërkaq, turistët derisa e vlerësojnë si ndërtesë interesante Muzeun Kombëtar të Kosovës, potencojnë se duhet bërë ndryshime në të.

Mohammed, një turist nga Emiratet e Bashkuara u shpreh se historia që përcjell ky muze është interesante, por nevojiten ndryshime sa i përket ndriçimit dhe ventilimit. Po ashtu edhe vizitori nga Mbretëria e Bashkuar, John Anderson u shpreh se është kurioz të dijë më shumë rreth historisë së pavarësisë.

Ndërkaq, ciceronia në Muzeun Kombëtar të Kosovës, Mimoza Goqi tregon se deri në gusht të këtij viti kanë mirëpritur rreth 17 mijë vizitorë nga vendet e ndryshme. Ajo jep detaje edhe për të gjithë koleksionin ekspozuese që kanë, duke filluar nga periudha parahistorike e deri te shpallja e pavarësisë së vendit tonë.

Muzeu Kombëtar i Kosovës i hapur që nga viti 1949, është një nga institucionet më të vjetra kulturore dhe historike në Kosovë. Koleksioni i këtij muzeu përfshin zbulime arkeologjike, dokumentacione historike, artefakte etnografike të cilat zbulojnë më shumë mbi qëndrimin e shqiptarëve në këto territore ndër kohëra e deri tek zhvillimet më të rëndësishme në Kosovë dhe rrjedhën e tyre.

Mirëpo, ky muze po kalon nëpër një sfidë, sa i përket kthimit të 1247 artefakteve arkeologjike nga Serbia në Kosovë, të marra gjatë viteve të 90-ta. Deri më tani, nga ky thesar i artefakteve, Kosovës i është kthyer vetëm një prej tyre. “Hyjnesha në Fron”, është një eksponat që daton nga mijëvjeçari i katërt para Krishtit dhe e cila u gjet në vitin 1956 në lokalitetin “Tjerrtorja” të Prishtinës.

Muzeu Kombëtar i Kosovës është i hapur gjatë gjithë javës, përveç të hënës, nga ora 10:00 deri në 17:00.

Në foto: Eksponate me vlerë historike të dhëna nga qytetarët Muzeut Kombëtar të Kosovës

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA