Lezha dje u cilësua si kryeqyteti i aksidenteve, megjithatë duket se jo të gjithë përplasjet ishin ngjarje aksidentale.
Aksidenti i ndodhur në hyrje të Shëngjinit, rezultoi se ishte i mirëmenduar, pasi sipas policisë, drejtuesi i automjetit në fakt ka tentuar të vrasë ish-bashkëshortin e motrës së tij. Arsyeja kanë qenë konfliktet pas divorcit me të motrën. 25-vjeçari Antonio Uldedaj e ka goditur disa herë me automjetin e tij ish-kunatin Marsido Pati i cili po udhëtonte me motor.
Ngjarja ka ndodhur pasditen e djeshme në aksin Lezhë-Shëngjin, në vendin e quajtur “Kthesa e Knallës”, ku shoferi i automjetit sipas njoftimit paraprak të policisë kishte përplasur motorin. Drejtuesi i automjetit ishte larguar nga vendi i aksidentit para se policia të mbërrinte në vendngjarje.
Nga hetimet u identifikua dhe u shpall në kërkim shtetasi Antonio Uldedaj, 25 vjeç, banues në Lezhë, pasi rezultoi se ai e ka përplasur qëllimisht me automjet, motorin që drejtohej nga ish-bashkëshorti i motrës së tij, shtetasi Marsido Pati, 32 vjeç, banues në Ishull-Shëngjin.
Me cilësinë e provës materiale u sekuestruan automjeti dhe motori që u përfshinë në këtë rast.
Vijon puna intensive për kapjen e 25-vjeçarit.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”, mbetur në tentativë.
Top Channel