Sveçla: Hedhja e granatës në veri në shenjë revolte për arrestimin e tre serbëve

22/09/2023 11:41

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, pretendoi se shpërthimi i një granate dore në Mitrovicë të Veriun mbrëmjen e 21 shtatorit, ishte në shenjë revolte për arrestimin e tre serbëve, nën dyshime për krime lufte.

“Krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë do të ndiqen deri në fund ndërsa hedhja e granatës ushtarake të dorës nga grupet kriminale nuk mund të zmbrapsë drejtësinë”, tha Sveçla.

Në raportin ditor të Policisë së Kosovës thuhet se shpërthimi i një granate dore është raportuar në orën 22:40 dhe “përveç dëmeve materiale nuk raportohet për të lënduar”.

Tre serbë u arrestuan më 20 shtator në veri të Kosovës, nën dyshime për krime lufte. Zyra për Kosovën në Qeverinë serbe dhe Lista Serbe – partia kryesore e serbëve në Kosovë – i kanë cilësuar arrestimet si “të motivuara politikisht”.

“Të njëjtit dyshohet të kenë qenë bashkëpunëtorë në tortura, plagosje, vrasje, dëbim, dhe masakra ndaj shqiptarëve në Vushtrri, fshatrat e saj përreth dhe në Burgun e Smrekovnicës”, tha Sveçla.

Ministri kosovar tha se “inspirimi, mbështetja dhe urdhri” për shpërthimin “kanë ardhur nga [presidenti i Serbisë], Aleksandar Vuçiq”, duke mos ofruar dëshmi për këto pretendime.

Njoftimi për shpërthim në veri vjen në kohën kur në këtë pjesë të Kosovës – të banuar me shumicë serbe – tensionet vazhdojnë të jenë të larta që nga fundi i majit.

Kjo pasi serbët lokalë po kundërshtojnë kryetarët e rinj shqiptarë të zgjedhur në prill – votime që u bojkotuan nga partitë dhe qytetarët serbë.

Në korrik, Kosova u pajtua që të ndërmarrë disa hapa në shtensionimin e situatës dhe që atëherë ka thënë se ka reduktuar praninë policore në veri dhe ka ndërmarrë veprime ligjore për të mundësuar largimin e kryetarëve komunalë përmes një peticioni.

Pavarësisht se këto hapa janë mirëpritur nga Bashkimi Evropian, Brukseli ka kërkuar që të bëhet më shumë drejt shtensionimit të plotë të situatës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA