Policia britanike ka nisur “gjuetinë” për kapjen e tre shqiptarëve, të cilët dyshohet se kanë marrë pjesë në grabitjen e ndodhur në shtëpinë e sulmuesit të Anglisë, Raheem Sterling, si dhe në 33 vjedhje të tjera të ndodhura në Londër.
Ndërkohë një shqiptar, Emiliano Krosi, 23 vjeç është i arrestuar, si i dyshuar për vjedhjen e 300 mijë paund, ora dhe bizhuteri me vlerë në shtëpinë e futbollistit vitin e kaluar, kur ylli i Chelseat ishte në Kupën e Botës në Katar me skuadrën e Anglisë.
Daily Express shkruan se Policia e Surrey është vënë në kërkim edhe të tre shtetasve shqiptarë, Alfred Isufi, 48 vjeç, Gerard Kalaja, 22 vjeç dhe Henri Osmani, 44 vjeç, të cilët dyshohet se bashkë me Krosin kanë marrë pjesë në 33 vjedhjet, duke përfshirë edhe shtëpinë luksoze të futbollistit anglez.
Në momentin e grabitjes, ylli i futbollit ishte në Katar për Kupën e Botës, aktivitet të cilin u detyrua ta linte për shkak të grabitjes dhe të shkonte pranë partneres së tij 27-vjeçare dhe dy fëmijëve të cilët ishin të tmerruar nga ngjarja.
Gjatë grabitjes dyshohet se janë marrë ora me vlerë 300,000 £ dhe bizhuteri.
Inspektori i Policisë së Surrey, James Ansell tha se beson se tre shqiptarët janë ende në Mbretërinë e Bashkuar.
“Hetimi i vjedhjeve të banesave është një prioritet për Policinë e Surrey dhe ne do të jemi të pamëshirshëm në ndjekjen e këtyre shkelësve,” tha Ansell.
Top Channel