Pas suksesit të jashtëzakonshëm në javën e modës në New York, Elton Ilirjani shkëlqeu me pjesëmarrjen e tij edhe në javën e modës në Londër.
Ilirjani ishte imazhi kryesor i zgjedhur nga stilistë me famë botërore në 3 sfilata elektrizuese në Mbretërinë e Bashkuar, të cilat morën vëmendje mediatike ndërkombëtare. Veçanërisht për të pati një dedikim special nga Associated Press si dhe dhjetëra revista të njohura si Vogue, Le Figaro, Bazzar që vendosën në faqet kryesore fotot e Elton Ilirjanit.
Malan Breton, stilisti i famshëm me përvojë 30-vjeçare gjatë prezantimit të koleksionit pranverë-verë 2024 në Londër vlerësoi Elton Ilirjanin si muzën e sfilatës së tij, në të njëjtat hapa me supermodelen e njohur si muza e Versace-s, Irina Pantaeva që ndanin skenën së bashku.
Sfilata e dytë nga designeri anglez Ross Griffiths e kushtuar për 15 vajza dhe gra modele me kancer ishte edhe më emocionale për Ilirjanin, i cili u përzgjodh si ikona e shfaqjes, duke e finalizuar atë.
Jimmy Choo Academy ishte arritje e radhës për Eltonin, i cili ishte në krye të këtij eventi ekskluziv në Londër. Duartrokitjet gjatë 3 sfilatave nuk ndalonin, ku mes tyre ishin një mori personazhesh të famshëm si aktorja Ema Thompson e vajza e saj, Jimmy Choo e shumë këngëtarë të njohur viteve 90.
Pas performancave dhe spektaklit, This Is Icon ishte kurora e vizitës së Eltonit në Londër Fashion Week ku Elton Ilirjani u shpall në top 3 e më të mirëve. Organizata teksa prezantoi ICON AWARDS 2023 i dha çmimin Ilirjanit për modeling dhe filantropi, teksa emocionet ishin të mëdha për të pasi vlerësohej njësoj me vetë krijuesit e mëdhenj të fashion-designerit Malton Breton dhe Julia Haart, e njohur për agjencinë e modës Elite World Group.
Elton Ilirjani, shqiptari i suksesshëm në mbarë botën me ndikim të madh në rrjetet sociale ku numëron me shumë se 11 milion ndjekës po përhap me çdo lëvizje të tij edhe më tej mesazhin për barazi gjinore. Modeli Ilirjani ka spikatur që në Shqipëri si një zë i fortë për të drejtat e komunitetit LGBTQI dhe vazhdon rrugëtimin socialo-artistik edhe në arenën ndërkombëtare.
Top Channel