Ish-presidenti italian, Giorgio Napolitano ndahet nga jeta në moshën 98-vjeçare.
Gjendja shëndetësore e tij javët e fundit ishte përkeqësuar, ndërsa mbylli sytë përgjithmonë në një spital në Gianicolo në Romë.
Napolitano ishte deputet që prej vitit 1953 dhe eksponent kryesor i Partisë Komuniste Italiane, ndërsa nga fundi i viteve ‘80 ishte ndër protagonistët e tranzicionit të PCI drejt socializmit demokratik të stilit evropian.
Napolitano kishte marrëdhënie të ngushtë me Papa Benediktin XVI, paraardhësin e Françeskut dhe ishte një nga të paktët njerëz që ishte paralajmëruar paraprakisht për dorëheqjen e Benediktit në shkurt të vitit 2013.
Presidenca italiane zakonisht është ceremoniale, por Napolitano përdori kompetencat në fund të vitit 2011 për të shmangur krizën duke emëruar ish-teknokratin e Komisionit Evropian, Mario Monti për të udhëhequr një qeveri pas dorëheqjes së kryeministrit, Silvio Berlusconi në një mosmarrëveshje mbi shkurtimet e shpenzimeve.
Dy vjet më vonë, ai theu një tjetër ngërç kur ndërmjetësoi një koalicion të madh nën politikanin e qendrës së majtë, Enrico Letta, pas zgjedhjeje parlamentare.
Napolitano u bë president në vitin 2006 dhe u zgjodh për një mandat të dytë shtatë vjeçar vitin 2013.
Ai dha dorëheqje në vitin 2015 sipas Reuters. Gjatë një karriere politike që nisi në fillim të viteve ‘50, ai u zgjodh në parlamentin italian dhe evropian dhe shërbeu si ministër i Brendshëm dhe kryetar i dhomës së ulët të parlamentit.
Top Channel