Inteligjenca artificiale jo vetëm ndihmon në përmirësimin e jetës por edhe në rritjen e sigurisë publike, siç është rasti i Bashkisë Kamëz ku ka instaluar rreth 200 kamera inteligjente, të cilat në monitor shfaqin panoramën e qytetit dhe policia e ka më të thjeshtë të verifikojë makinat apo këmbësorët që lëvizin në kryqëzime apo rrugë.
Jo vetëm kaq por këto pamje mund të kthehen dhe të analizohen duke kërkuar faktorë të veçantë.
Nëpërmjet këtyre kamerave identifikohet Targa dhe lloji i automjetit, marka ngjyra dhe përdoruesit e tij.
Për të parë konkretisht se si funksionon ky sistem do të bëjmë një provë duke futur të dhënat e automjetit tonë.
Punonjësi i policisë shkruan në sistem targën e mjetit dhe datën e sotme dhe në ekran shfaqen të gjitha akset rrugore ku mjeti ynë ka kaluar në Kamëz.
“Mjeti është i Top Channel është kapur duke hyrë në Kamëz, vijon lëvizjen tek rrethi i Bathores dhe më pas në Bulevardin Blu. Të gjitha lëvizjet janë të fiksuara në kamerat e sigurisë.“-shpjegon punonjësi i policisë.
Në këto filmime jepet, data dhe ora e saktë se kur mjeti apo personi i dyshuar ka kaluar në një vendndodhje të caktuar
“Janë kamera të fjalës së fundit të teknologjisë. Do i vijnë në ndihmë policisë së shtetit dhe komunitetit. Projekti do të zgjerohet edhe në pika që ne i shohim problematike përsa i përket kriminalitetit.”-shprehet Oliger Torba.
Instalimi i këtyre kamerave inteligjente ka dhënë efektet e para në punën e policisë pasi falë pamjeve të tyre janë zbardhur së paku 4 vjedhje të ndodhura në këtë territor.
Në një fazë të dytë pritet që të instalohen kamera të veçanta të cilat do të bëjnë të mundur identifikimin e menjëhershëm të shkeljeve të qarkullimit rrugor si kthesat e gabuara, shkeljet e semaforit apo shpejtësia tej normave të lejuara.
Top Channel