Për herë të parë në Peqin është organizuar Panairi agroturistik, i cili synon të promovojë prodhimet bujqësore të fermerëve të zonës.
Disa dhjetëra fermerë morën pjesë në këtë organizim me shpresën e reklamimit të prodhimeve të tyre bio. Përpos prodhimeve tradicionale nuk munguan as kultura të veçanta si kivi apo patatja e ëmbël.
“Kjo është patate e ëmbël që tregtarët tanë e marrin nga jashtë, por unë, kam 4 vjet që merrem me eksperimentimin e saj dhe e kam futur në prodhim”-shprehet fermeri.
Me kodrat e mbuluara nga ullinjtë, zona e Peqinit njihet sidomos për prodhimin e vajit të ullirit i cili tashmë po eksportohet gjerësisht.
“Cilësia shumë e lartë, shumë e mirë”-shprehen ata.
Bashkia e Peqinit synon që panairin ta kthejë në traditë për tu ardhur në ndihmë fermerëve për një treg të sigurt shitjeje dhe çmime të kënaqshme.
“Ne do ta kthejmë festë çdo herë se e meriton kjo zonë dhe këtyre fermerëve t’ua bëjmë sa më të lehtë, duke i promovuar produktet”-shprehet Bukurosh Maçi, kryetar i Bashkisë Peqin.
Përpos prodhimeve bujqësore kostumet tradicionale dhe punimet e dorës së zonjave të Peqinit i dhanë një pamje edhe më të bukur këtij panairi.
Top Channel