64 për qind e grave në Kosovë besojnë se ka ngacmime seksuale në sektorin privat

22/09/2023 19:53

64 për qind e grave të punësuara në sektorin privat në Kosovë besojnë se ngacmimi seksual është dukuri e pranishme në këtë sektor, por vetëm 10 për qind e tyre thonë të kenë përjetuar këtë lloj ngacmimi.

Këto të dhëna janë pjesë e një hulumtimi të publikuar të premten nga Qendra e Kosovës për Studime Gjinore. Hulumtuesja Dina Vllasaliu, tha se këto të dhëna mund të mos pasqyrojnë në tërësi shtrirjen e vërtetë të problemit për shkak të natyrës së ndjeshme të temës si dhe shkallës së ultë të raportimit të kësaj dukurie.

“Ajo që kemi parë këtu në përgjithësi është që gratë kanë pasur tendencë të besojnë më tepër se ekziston ngacmimi verbal sesa ai fizik. Pra sa më i rëndë lloji i ngacmimit aq më pak kanë pasur probabilitet gratë e anketuara të deklarojnë që ky lloj ngacmimi ekziston”, tha ajo.

Sipas hulumtimit në mbi 65 për qind të rasteve mosraportimi ndodh nga frika për pasoja negative për familjen dhe frika për humbjen e vendit të punës.

“Kur i krahasojmë me grupmosha, del që gratë në moshë më të re kanë tendencë më të madhe të raportojnë se janë ngacmuar seksualisht sesa gratë më të vjetra. Për shembull 16 për qind e grave ndërmjet moshës 18 deri 24 vjeç kanë thënë se i janë ekspozuar ngacmimit seksual, në krahasim me dy për qind të grave të moshës 55 deri 64 vjeç”, tha zonja Vllasaliu.

Carin Lobbezoo, nga ambasada Holandës në Kosovë e cila ka mbështetur këtë projekt, tha pas paraqitjes së raportit se të dhënat tregojnë që ka shumë punë për tu bërë, duke nënvizuar nevojën që drejtuesit e të gjitha kompanive të sigurojnë mjedis të sigurtë për raportim.

“Në momentin që krijohet një mjedis social gjithpërfshirës dhe i siguritë në vende të punës, punonjësit do të ndihen më të fuqizuar për të diskutuar mbi ngacmimet seksuale që mund të përjetojnë gjatë punës. Kjo nuk është një zgjidhje magjike, por është njëra nga zgjidhjet. Pa dyshim se një gjë e tillë do të ndodhë përsëri, por në një mjedis të tillë punonjësit do të ndihen të sigurtë të përdorin mekanizmat raportues që ekzistojnë”, tha ajo.

Të dhënat e raportit tregojnë se gratë kanë vështirësi edhe në kuptimin e mirëfilltë të llojeve të ngacmimit seksual. 77 për qind e të anketuarave kanë thënë se kurrë nuk janë trajnuar në vendin e tyre të punës për të identifikuar dhe raportuar ngacmimin seksual.

Në hulumtimin e Qendrës së Kosovës për Studime Gjinore janë anketuar 600 gra nga mosha 18 deri në 64 vjeç, të punësuara në sektorin privat në shtatë rajone të ndryshme të Kosovës.

Raporti thekson mundësinë që kushtet e pafavorshme të grave në punë mund të jenë duke kontribuar në hendekun e punësimit ndërmjet grave e burrave në Kosovë që vazhdon të mbetet i lartë. Në vitin 2021 shkalla e pjesëmarrjes në fuqinë punëtore ishte 56.6 për qind burra dhe 39.3 për qind gra.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA