Këtë vit, Durrësi shënoi sezonin më të mbarë turistik në historinë e tij.

Me mbi 11 mijë e 500 shtretër të deklaruar zyrtarisht, Durrësi mbetet kryeqendra e turizmit shqiptar. Kjo dhe për shkak të vijës së gjatë bregdetare, njësive të shumta akomoduese që ofrojnë larmi çmimesh, si dhe shërbimit të mirë.

“Sezoni turistik i verës 2023 konsiderohet si një ndër sezonet më të suksesshme përsa i përket historikut të turizmit në territorin e Durrësit”, shprehet specialisti i turizmit në Prefekturën e Durrësit, Oltsen Gripshi.

Flukset turistike kanë sjellë të ardhura të shumta në buxhetin lokal, po dhe një ndikim të madh në ekonominë vendase.

“Me siguri që ndryshon taksa nga vija e parë e detit dhe në territorin e brendshëm të qarkut e cila varion nga 3500 lekë për dhomë në zonën e vijës së parë dhe deri në 1400 lekë të vjetra, në pjesën e brendshme të territorit”, u shpreh Gripshi.

Numri i turistëve mbetet i lartë edhe këtë vjeshtë, ndërsa trashëgimia jonë kulturore dhe veçanërisht gjurmët e periudhës së komunizmit  paraqesin shumë interes për turistët e huaj.

“Është një vend i bukur me njerëz të këndshëm dhe është ende nxehtë. Jam nga Holanda. Vite më parë nuk mund ta mendoje të vije në Shqipëri për shkak të regjimit komunist. Një vend totalisht i mbyllur. Ndaj mbetet një vend tepër tërheqës dhe joshës. Në një pjesë të ndërtesave gjen ende dëshmi të kohës, po duhen menaxhuar, ruajtur më mirë”, u shpreh një turist holandez.

Ulja e informalitetit në sektorin e turizmit dhe rritja e sigurisë në plazhe janë vënë në fokus të Task Forcës që funksionon pranë prefekturës së qarkut të Durrësit për sezonin e ardhshëm turistik.

“Tentativa dhe padyshim politikat janë të atilla për të mirëorganizuar edhe në sezonin e ardhshëm 2024 për të cilën kanë filluar edhe në këto ditë përgatitjet për një sezon shumë më të suksesshmëm”, tha Gripshi.

Turistë nga e gjithë bota vizituan dhe vijojnë të pushojnë buzë Adriatikut duke shijuar gjithçka që ofron qarku i Durrësit përgjatë të gjithë vitit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA