Ligji “Për shtetësinë”/ Ministri i Brendshëm në Kuvend: Qytetarët e Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut të mos testohen për gjuhën

21/09/2023 17:30

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla ka propozuar në Kuvend që qytetarët e Kosovës dhe të Maqedonisë së Veriut të cilët kanë gjuhën shqipe si gjuhë zyrtare të mos i nënshtrohen një testi për gjuhën dhe historinë shqiptare për të përfituar nënshtetësinë.

Balla kërkoi mbështetjen e deputetëve në Kuvend për miratimin e këtij pr. ligji që t’u krijohet mundësia talenteve që kanë lindur e jetojnë jashtë Shqipërisë që të mund të aktivizohen për ekipet e moshave të kombëtares sonë kuq e zi të pajisen me pasaportën shqiptare edhe kur nuk kanë mbushur moshën 18 vjeç.

“Ne kërkojmë që qytetarët e Kosovës që kanë gjuhë zyrtare, e flasin gjuhën aq bukur sa ne dhe e njohin historinë tonë sa ne, nuk kanë pse t’i nënshtrohen një testi për gjuhën apo historinë. Në këtë këndvështrim do bëhet një përjashtim për shtetet ku gjuha shqipe është gjuhë zyrtare. Edhe në Maqedoninë e Veriut gjuha shqipe është gjuhë zyrtare, ndaj edhe gjithë vëllezërit dhe motrat që do kërkojnë shtetësinë shqiptare, kjo do mundësohet. Këtë vendimmarrje do e quaja historike, për të çuar përpara një përgjegjësi që ka vendi amë për ata që aplikojnë për pasaportat me natyralizim”, tha ai.

“Për shkak të parashikimit që ka ligji aplikimi për pasaportë nuk mund të kryhet pa u mbushur mosha 18 vjeç. Edhe të gjithë e dimë, talentet bëhen gati shumë më shpejt dhe ne kemi pasur gjatë praktikës, qoftë nga paraardhësi im zoti Çuçi, por edhe më parë, raste kur është dashur dhe është kërkuar nga Federatat tona sportive kryesisht ajo e Futbollit, që të ndërhyhet me ligj për të mundësuar pajisjen me pasaportë. Në fakt ligji e pamundëson këtë gjë, e prandaj ndërhyrja e parë është që jo vetëm për sportistët, por mund të kemi dhe artistë të cilët vendosin të marrin pasaportën shqiptare atëherë ne do të mundësojmë që Presidenti i Republikës, i cili është i vetmi që e disponon këtë vendimarrje përmes dekretit ta mundësojë një gjë të tillë. Kjo ka qenë një kërkesë e inicuar nga Federata Shqiptare e Futbollit, të cilët gjej rastin t’i falënderoj për bashkëpunimin dhe natyrshëm që sot është vendimmarrja finale e anëtarëve të Kuvendit të Shqipërisë”, tha ministri Balla në seancë.

“Kuvend Kërkoj mbështetjen për Ligjin “Për shtetësinë”, t’u krijojmë mundësinë talenteve që kanë lindur e jetojnë jashtë Shqipërisë, por që mund të aktivizohen për ekipet e moshave të kombëtares sonë kuq e zi (në sporte të tjera apo në fushën e artit), të pajisen me pashaportën shqiptare edhe kur nuk kanë mbushur moshën 18 vjeç. Gjithashtu përjashtohen nga testimi i njohurive të gjuhës shqipe dhe historisë së RSH, aplikantët për shtetësi me natyralizim, të cilët vijnë nga shtetet ku gjuha shqipe është gjuhë zyrtare.”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA