Europol godet grupin kriminal të drejtuar nga shqiptarë! 65 mln euro transferta për të pastruar paratë e drogës

21/09/2023 13:03

Në një operacion të përbashkët me EUROPOL-in, policia spanjolle shkatërroi një organizatë kriminale të përfshirë në trafikun e drogës dhe pastrimit të parave përmes metodës “Hawala”.

27 persona ranë në pranga disa provinca si Madrid, Malaga, Seville, Valencia, Alicante dhe Barcelona. Gjatë bastisjeve policore u sekuestruan 615,000 euro cash, si dhe ora dhe bizhuteri me vlerë më shumë se 400,000 euro. Banda e drejtuar nga shtetas shqiptarë, mbështeste organizata të ndryshme ndërkombëtare për të pastruar paratë e përfituara në mënyrë të paligjshme e për të lehtësuar pagesat për trafikun e drogës.

Hetimi ndaj saj u nxit nga raportet e dërguara prej Europolit, të cilat ndihmuan identifikimin e grupit të përbërë nga shtetas me origjinë shqiptare, të përfshirë në trafikimin e lëndëve narkotike, kryesisht mbjelljen e kulturave marijuanë në ambiente të mbyllura, që së bashku me shtetas me origjinë kineze, kishin formuar një strukturë komplekse në të cilën të dy grupet siguronin avantazhe të ndërsjella dhe përfitime të tjera që rridhnin nga aktiviteti kriminal.

Hetimet treguan se shtetasit kinezë u dërgonin bizneseve të tyre shuma të mëdha parash, e në këmbim, ato kompensoheshin diku tjetër, me objektivin final që paratë në fjalë të mbërrinin në vendin e origjinës pa qenë subjekt i kontrollit përkatës ligjor ose formal në Spanjë.

Nga ana tjetër, përdoruesit shqiptarë të sistemit Hawala, duke funksionuar si një subjekt bankar, kryenin “transferimin” dhe fshehjen e shumave të mëdha të parave nga shitja e drogës dhe merrnin rifinancimin e operacioneve të reja.

Hetimet dëshmuan se gjatë periudhës së hetuar mes majit 2020 dhe marsit 2021, dërgesa të vazhdueshme dhe të shumta cash u ishin bërë organizatave kriminale shqiptare, në një vlerë totale prej gati 65.5 milionë eurosh.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA