Një tjetër aksident ka ndodhur sot në aksin rrugor Lezhë-Shëngjin, në afërsi të Knallës.
Një makinë ka përplasur një të ri me motor dhe më pas drejtuesi është larguar nga vendi i ngjarjes. I riu është dërguar në spitalin e Lezhës jashtë rrezikut për jetën, por ka fraktura të shumta në trup.
Policia po heton mbi ngjarjen.
Gjithashtu ditën e sotme është regjistruar një aksident tjetër i rëndë në aksin rrugor Lezhë-Shkodër. Në aksident janë përfshirë dy makina dhe një kamper, ndërsa dy vajza kanë përfunduar në spital. Shkak për aksidentin dyshohet të jetë bërë parakalim i gabuar nga makina tip “Audi” e cila drejtohej nga një vajzë.
Sipas burimeve për TCh në vendin e ngjarjes, “Audi” pasi është futur në parakalim ka humbur kontrollin e mjetit duke u përplasur me barrierat mbrojtëse të rrugës, duke i prerë kështu rrugën kamperit.
Kamperi dhe makina tjetër e cila ndodhej mbrapa kanë përfunduar në kanalin anësor të rrugës. Në spital është transportuar drejtuesja e mjetit tip Audi, si dhe pasagjeria e makinës tip golf e cila është e përmbysur në anë të rrugës, të cilat sipas spitalit të Lezhës janë rreth 28-30 vjeçe dhe kanë pësuar fraktura të shumta në trup. Çifti gjerman i cili po udhëtonte me kamper janë jashtë rrezikut dhe po japin detaje në vendin e ngjarjes.
Top Channel