Oktoberfest, birra gjermane “viktimë” e inflacionit: Festivali zgjatet me dy ditë!

20/09/2023 12:06

Në Mynih të Gjermanisë ngriti siparin Oktoberfest, festivali më i madh i birrës në botë.

Edicioni i 188-të do të zgjasë dy ditë më shumë se zakonisht, me shpresën t`i rikthejë eventit gjigant ditët e lavdishme që gëzonte përpara se të niste pandemia e koronavirusit. Mynihu pret të paktën gjashtë milionë vizitorë nga e gjithë bota.

Por rritja e inflacionit në Gjermani ka ndikuar edhe në çmimin e birrës. Një litër kushton nga 12.60 euro deri në 14.90 euro – një rritje prej afërsisht 6.1% krahasuar me vitin e kaluar. Festivali i birrës do të përfundojë më 3 tetor, kur Gjermania feston 33 vjetorin e ribashkimit të saj.

Oktoberfest i ka fillesat në vitin 1810, kur u mbajt për herë të parë për të kremtuar martesën e princit të kurorës të Bavarisë me princeshën Therese von Sachsen-Hildburghausen. Fillimi zyrtar i festës shënohet nga shpimi i fuçisë së parë nga kryebashkiaku i Mynihut në Schottenhamel Festhalle.

Vetëm gjashtë birrari të Mynihut lejohen të shërbejnë birrat e tyre në festival. Për shkak të aksidenteve të panumërta në vitet e kaluara, në Oktoberfest nuk lejohet hyrja me shishe qelqi.

Top Channel