Një vrasje tronditi orët e para të ditës fshatin Banjë të Malishevës. Policia konfirmoi se një person i moshuar ishte gjetur pa jetë rreth orës 7 mëngjesit, i qëlluar me armë zjarri.
Efektivëve nuk i është dashur të hetonin gjatë për të zbuluar agresorin. Sipas zëdhënësit të Policisë për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj, një person është vetëdorëzuar lidhur me ngjarjen e rëndë, e mendohet se ka qenë pikërisht ai që ka hapur zjarr mbi viktimën. I dyshuari është po ashtu në moshë të thyer.
Motivet e krimit nuk janë zbardhur ende, ndërsa marrja në pyetje e personit në fjalë vazhdon. Njësitet e nevojshme policore dhe prokurori i shtetit janë në zonë dhe po ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, shtoi zëdhënësi.
Një ditë më parë, dy persona mbetën të plagosur si pasojë e të shtënave me armë zjarri në Rahovec. Ata u dërguan në spitalin rajonal për trajtim mjekësor.
Edhe në këtë rast, dy autorë të dyshuar të ngjarjes u vetëdorëzuan në polici, ndërsa pas bastisjeve të kryera, forcat e rendit gjetën dhe sekuestruan gjashtë armë të ndryshme dhe municione.
Top Channel