Klered Bozhani është autori i dyshuar i plagosjes së policit të forcave speciale “Shqiponja”, sipas gazetares së Top Channel, Dorjana Bezat.
Edlir Alleshi mbeti i plagosur gjatë një aksioni për kapjen e autorit të armatosur në zonën e “Kinostudios”.
Polici u transportua tek Trauma, ndërsa aktualisht ndodhet në sallë të operacionit.
Sipas policisë, në ndjekje të autorit janë vënë shërbimet e tjera të Forcave “Shqiponja”, Patrullat e Përgjithshme, dhe Njësitë Speciale Operacionale, ndërsa janë bllokuar hyrje-daljet e të gjitha rrugëve.
“Në lagjen “Kinostudio”, në rrugën “Hysen Xhura”, shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” pasi kanë marrë informacion për një person që qarkullonte me armë zjarri, janë vënë në ndjekje të personit të dyshuar. Gjatë ndjekjes, personi i armatosur ka hapur zjarr në drejtim të Forcave “Shqiponja”, dhe si pasojë është plagosur një prej efektivëve, inspektor E. A., i cili është dërguar menjëherë në spital për ndihmë mjekësore. Në ndjekje të personit të armatosur janë venë shërbimet e tjera të Forcave “Shqiponja”, Patrullat e Përgjithshme, dhe Njësitë Speciale Operacionale, janë bllokuar hyrje-daljet e të gjitha rrugëve, dhe vijon kontrolli për kapjen e personit të armatosur”, sipas policisë.
Top Channel