Mos promovimi i talenteve të reja dhe pakësimi i nxënësve në shkollat artistike ka ngritur një këmbanë alarmi jo vetëm për stafin akademik të këtyre shkollave por edhe për shoqërinë tonë, ku shihet një humbje e interesit të njerëzve për të studiuar arte.

Por pse po ndodh ky fenomen aktual ?

“Është bërë shqetësuese në fakt këto kohët e fundit, por kjo nuk është një problematikë që ka filluar sot, ka rreth 30 vite që numri i studentëve në Universitetin e Arteve sa vjen dhe ulet. Kam përshtypjen që nuk është vetëm një problematikë e jona, kam ndjerë që edhe në Europë ka rënë interesi, nuk është më interesi i dikurshëm”, tha Eriona Rushiti-kompozitore dhe pedagoge UAT.

Në liceun artistik Jordan Misja në Tiranë këtë vit janë regjistruar jo më shumë se 36 nxënës e nga ana tjetër edhe në shkollat 9-vjeçare të Tiranës dhe rretheve ku përfshihet kurrikula bazë mësimore janë zvogëluar orët dedikuar lëndëve të artit, si ai figurativ apo muzikë.

Kjo e bën te vështirë situatën edhe për ato familje fëmijët e të cilëve kanë një prirje drejt artit, për t’i zhvilluar më tej ata duke qenë se nuk po funksionojnë institucionet arsimore dedikuar artistëve të së ardhmes.

“Në shkollat e përgjithshme duhet shtuar ora e muzikës. Aktiviteti fizik zhvillohet 3 herë në javë ndërsa arti pamor dhe muzika vetëm 1 orë në javë, dhe do dalin ca nxënës pa kulturë, ndërkohë që mund të shtohen orët e artit, mund të shtohet edhe mësimi i një instrumenti, ngritja e disa bandave të vogla, pra ka mundësi pafund. Duke shtuar këto orë ne shtojmë edhe mundësinë e punësimit të studentëve që dalin nga ne”, u shpreh Eriona Rushiti-kompozitore dhe pedagoge UAT.

Mirëpo nga ana tjetër edhe tregu nuk i vjen shumë në ndihmë një studenti që ka përfunduar artet.

“Studentët tanë përgjithësisht tregun e vetëm shohin koncertet live, dasmat, kështu që kemi përfunduar në këtë pikë. Ringritja e disa orkestrave qoftë edhe orkestra e të rinjve, orkestrat e qyteteve të ndryshme do të bëjnë që të rinjtë të rikthehen në qytetet e tyre, të zhvillojnë jetën artistike atje, pra ja ku gjendet edhe tregu. Nuk kanë pse të rinjtë të jenë të detyruar të shkojnë jashtë shtetit për tu punësuar”, tha ajo.

Në një njoftim të fundit Ministria e Arsimit dhe Sportit ka lajmëruar se do të bëjë të mundur hapjen e klasave artistike edhe në klasat klasike, çka do të thotë fëmijët mund të arsimohen dhe të zhvillojnë talentin e tyre edhe në disiplina përkatëse.

Top Channel