Dhunë në familje dhe të dënuar në mungesë! Tre të arrestuar për vepra të ndryshme penale në Korçë, një tjetër në kërkim

20/09/2023 16:49

Tre persona janë arrestuar dhe një tjetër është shpallur në kërkim, për vepra të ndryshme penale.

Nga të dhënat paraprake bëhet me dije se Policia ka bërë të mundur arrestimin e një 42-vjeçari me inicialet G. B., banues në fshatin Ravonik, Maliq, pasi Gjykata e Korçës ka caktuar për këtë shtetas, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Dhuna në familje” dhe “Veprime në kundërshtim me vendimin e Gjykatës”.

Po ashtu, është bërë ndalimi i shtetasit në kërkim M. V., 33 vjeç, banues në fshatin Udënisht, Pogradec, pasi Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë e ka dënuar me 4 muaj burgim, për veprën penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, kryer në bashkëpunim.

Në pranga ka rënë edhe 41 vjeçari me inicialet E. P., banues në fshatin Radokal i Poshtëm, Pogradec, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj nënës së tij. Ndërkaq, është shpallur në kërkim 25 vjeçari me inicialet R. L., banues në Pogradec, pasi dhunoi të atin. I moshuari pasi mori mjekim në spital u largua në banesë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.

Top Channel