Me rublën në pikiatë, presidenti rus Vladimir Putin bëri thirrje për masa të menjëhershme në mbështetje të monedhës së dobësuar vendase, në kohën kur Rusia po përballet me një rritje të ndjeshme të inflacionit.
Putin theksoi se duhet kuptuar qartë çfarë po e shkakton këtë zhvlerësim kaq të madh të rublës dhe të hidhen pa vonesa hapat e duhur drejt frenimit të tij. Lideri rus i bëri këto komente në një takim qeveritar për buxhetin shtetëror, ku nënvizoi se sërish beson që kjo situatë do të kapërcehet.
“Unë besoj në politikat ekonomike të Rusisë. Jam i sigurt që Banka Qendrore po punon me profesionalizëm dhe ç`është më e rëndësishmja, në mënyrë të koordinuar”, tha Putin.
Një prej mënyrave për forcimin e monedhës vendase dhe uljen e ritmit të inflacionit, është rritja e normës së interesit, të cilën Banka Qendrore e Rusisë e ka çuar tashmë në 13 për qind. Sipas ministrisë ruse të Ekonomisë, parashikimet për inflacionin këtë vit shkojnë në 7.5 për qind. Edhe pse inflacioni është rritur ndjeshëm, Putini sërish u shpreh i kënaqur me gjendjen e përgjithshme të ekonomisë ruse duke thënë se i mbijetuan një presioni të pashembullt nga jashtë me sanksione nga disa elita në bllokun perëndimor. Sanksionet ndërkombëtare ishin rrjedhojë e agresionit rus në Ukrainë, të cilin Putini ka vazhduar ta cilësojë si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar vendin fqinj.
Top Channel