Teksa nxitoi që në fillim t`ia hidhte Albin Kurtit fajin për dështimin e takimit të 14 shtatorit në Bruksel, presidenti serb Aleksandër Vuçiç deklaroi se për të, ishte bërë e qartë që në fillim që kryeministri i Kosovës nuk dëshiron “asnjë marrëveshje” për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, para se të ndodhë njohja joformale, siç tha kreu i shtetit serb.

Por pavarësisht kësaj, Vuçiç u shpreh se sërish pret “një presion të ri” nga Perëndimi ndaj shtetit të tij lidhur me bisedimet me Kosovën.

“Ata në thelb u pajtuan me gjithçka që po bën kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe çështja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe është diçka që duhet ta bëjnë patjetër, sepse marrëveshja për këtë është nënshkruar dhjetë vjet e gjysmë më parë dhe sepse ne vazhdojmë të insistojmë”, tha Vuçiç.

BE-ja pohoi se Kosova kishte refuzuar propozimin e saj për zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve, që Prishtina dhe Beogradi arritën më herët gjatë këtij viti. Kurti e përshkroi propozimin si një “kushtëzim”. Vuçiç njoftoi po kështu mundësinë që zgjedhjet e parakohshme në Serbi, të kërkuara nga opozita, mund të mbahen më 4 mars 2024, ose një javë më herët.

Në fillim të shtatorit, deputetët opozitarë njoftuan në Parlament se do të bllokonin organin  ligjvënës të Serbisë derisa të plotësohej kërkesa e tyre për mbajtjen e zgjedhjeve, pasi zhvilluan protesta për katër muaj me radhë, për shkak të dy vrasjeve masive që ndodhën në Serbi.

Më 11 shtator, përfaqësuesit e opozitës në Serbi, që kanë organizuar protestat “Serbia kundër dhunës”, dorëzuan një kërkesë duke i kërkuar Vuçiçit që të shpallë zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare dhe zgjedhje në Beograd deri në fund të vitit 2023. Kërkesa për zgjedhje të jashtëzakonshme është dërguar nga Partia Demokratike, Kryengritja Ekologjike, Fronti i Gjelbër dhe grupet parlamentare Lëvizja e Popullit të Serbisë dhe Drejtimi i Evropës.

Më 5 shtator, deputetët opozitarë njoftuan në Parlament se ata do të “bllokojnë” organin ligjvënës të Serbisë derisa të plotësohet kërkesa e tyre për mbajtjen e zgjedhjeve, pasi kanë mbajtur protesta për katër muaj me radhë, për shkak të dy vrasjeve masive që ndodhën në Serbi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA