Qeveria italiane e krahut të djathtë ka miratuar këtë hënën një paketë me masa të ashpra për të kufizuar emigrimin e paligjshëm përmes Mesdheut, pas fluksit më të fundit i cili e futi Italinë në një gjendje kolapsi.
Kabineti i kryeministres italiane, Giorgia Meloni ka vendosur që ta rrisë periudhën maksimale të ndalimit nga gjashtë muaj në 18-të muaj, por ka lënë të kuptohet se duhen masa shumë më të rrepta.
“Lufta kundër emigrimit masiv dhe trafikantëve është luftë për Italinë dhe për Evropën”, ka deklaruar liderja italiane.
Periudha e shtuar është e nevojshme për të vërtetuar nëse një person ka të drejtë të qëndrojë në Itali, apo të dëbohet menjëherë prej qendrave të ndalimit.
Përveç kësaj, Ministria e Mbrojtjes do të krijojë “struktura” për t’i ndaluar emigrantët që kanë hyrë në Itali ilegalisht.
Ditëve të fundit, mijëra emigrantë kanë kaluar në ishullin italian në Lampeduzas, duke mbingarkuar qendrat e strehimit në kohë rekord.
Gjatë javës së kaluar dita e martë mban një rekord mbërritjesh me 5 mijë persona, ndërsa në total janë më shumë se 8 mijë emigrante të mbërritur në Lampedusa.
Bumi i emigrantëve e gjeti të papërgatitur qeverinë italiane, e cila kërkoi ndihmë nga BE-ja për kapërcimin e situatës.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, vizitoi qendrën e pritjes së emigrantëve në ishullin italian Lampedusa, nën shoqërimin e Melonit, e më pas përfaqësuesja europiane tregoi mbështetje për kapërcimin e situatës.
Top Channel