Censi i popullsisë dhe banesave që nisi këtë të hënë në të gjithë vendin paraqet një interes të lartë për gjetjet që do të ofrojë për Bashkinë e Durrësit.
Sot, në territorin e qarkut të Durrësit kanë dalë në terren 536 anketues, 408 prej të cilëve në Bashkinë e Durrësit, 85 në atë të Krujës dhe 43 në Shijak.
Vitet e fundit lëvizjet e popullsisë kanë qenë të ndjeshme dhe Durrësi mbetet një nga bashkitë me interes të lartë për të jetuar e punuar pasi është një nyje e rëndësishme e qarkullimit të njerëzve, mallrave dhe shërbimeve në vend. Si kryeqendër e turizmit gjithëvjetor në bregdet ai është dhe qyteti me qarkullimin më të madh turistik dhe pronësor.
Përveç lëvizjes së lirë demografike dhe emigrimit të shumë familjeve në vazhdimësi, vitet e fundit kanë dëshmuar se numri i shtetasve të huaj që vijnë për të jetuar dhe punuar në Durrës është i lartë.
Ai ka njohur një rritje progresive dhe të gjithë ata që janë rezident të paktën për 12 muaj do t’i përgjigjen këtij censi. Informacioni i vjelur do të ofrojë mundësi për të njohur realisht numrin e popullsisë dhe specifikat e saj, si dhe orientuar politikat e zhvillimit dhe investimet publike.
Top Channel