Policia britanike thotë se ka marrë një akuzë për sulm seksual kundër Russell Brand që daton që nga viti 2003.

Ky reagim nga policia vjen pasi katër gra hodhën akuza për abuzim seksual kundër komedianit midis viteve 2006 dhe 2013 nga hetimi i The Times, The Sunday Times dhe Channel 4 Dispatches.

The Times tha se ishte kontaktuar nga “disa gra” me pretendime të mëtejshme për Brand, por tha se pretendimet e tyre nuk janë hetuar ende dhe “tani do të kontrollohen rigorozisht”.

Një zëdhënës i Met tha: Ne jemi të vetëdijshëm për raportimet nga The Sunday Times dhe Dispatches të Channel 4 në lidhje me akuzat për shkelje seksuale. Të dielën, më 17 shtator, Met mori një raport për një sulm seksual që pretendohej se kishte ndodhur në Soho në qendër të Londrës në vitin 2003. Oficerët janë në kontakt me gruan dhe do t’i ofrojnë asaj mbështetje. Ne folëm fillimisht me The Sunday Times të shtunën, më 16 shtator dhe që atëherë kemi bërë qasje të mëtejshme në The Sunday Times dhe Channel 4 për të siguruar që kushdo që beson se ka qenë viktimë e një ofendimi seksual është në dijeni se si ta raportojë këtë te policia. Ne vazhdojmë të inkurajojmë këdo që beson se mund të ketë qenë viktimë e një shkeljeje seksuale, pavarësisht sa kohë më parë ishte, të na kontaktojë.

Aktori 48-vjeçar mohon çdo akuzë kundër tij. Ai pohoi në një video të postuar në internet të premten mbrëma se të gjitha marrëdhëniet e tij kanë qenë “konsensuale”.

Më herët të hënën, një nga akuzueset pretendoi se një makinë e çoi atë nga shkolla në shtëpinë e tij kur ajo ishte 16 vjeç .

“Alice” i tha “BBC Radio 4 Woman’s Hour” se marrëdhënia abuzive e bëri atë të ndjehej “e ndotur”. Ajo tha se  mohimi i akuzave nga Brand ishte “fyes”, ndërsa shtoi: Është për të qeshur që ai do të nënkuptojë se ky është një lloj konspiracioni i medias kryesore. Ai nuk është jashtë rrjedhës kryesore.

Downing Street i ka përshkruar gjithashtu akuzat kundër Brand si “shumë serioze dhe shqetësuese”.

Channel 4 dhe firma e prodhimit televiziv Banijay UK konfirmuan gjatë fundjavës se kishin nisur hetimet, ndërsa BBC tha se “po shqyrtonte urgjentisht çështjet e ngritura”.

Organizata bamirëse “Trevi Women”, e cila mbështet nënat që shërohen nga varësia nga droga, gjithashtu njoftoi të shtunën se do të ndërpresë lidhjet me Brand.

Brand performoi në një shfaqje humori në Londër të shtunën në mbrëmje pas akuzave, duke u thënë fansave se i donte ata, por se kishte “disa gjëra” që ai “nuk mund t’i diskutonte”. Komediani ka edhe tre takime të tjera për turneun e shfaqjes “Bipolarisation”.

“Siç kam shkruar gjerësisht në librat e mi, isha shumë, shumë i shthurur. Nuk e kam problem që ata të përdorin librat e mi dhe qëndrimin tim për të folur për sjelljen time konsensuale të shthurur në të kaluarën. Ajo që unë i hedh poshtë seriozisht janë këto akuza shumë, shumë të rënda kriminale”, tha ai të premten.

“Gjithashtu, vlen të përmendet se ka dëshmitarë, provat e të cilëve kundërshtojnë drejtpërdrejt narrativën që këto dy media kryesore po përpiqen të ndërtojnë, me sa duket, në atë që mua më duket të jetë një sulm i koordinuar. Ne padyshim që do ta shqyrtojmë këtë çështje, sepse është shumë, shumë serioze”, shtoi ai.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA