Gjykata ka dhënë sot masën e sigurisë “arrest me burg” për nëntë personat e ndaluar në Elbasan në kuadër të megaoperacionit “Tempulli” kundër narkotikëve që u shtri në disa qytete.

Të arrestuarit janë: Gildi Ballolli, Mikel Poçi, Stiven Faqolli, Saimir Rexhepi i njohur si “Ujku i Cërrikut”, Françesko Braho, Endrit Kovaçi, Ervis Duzha dhe punonjësi i policisë Sajmir Hysa.

Për “Ujkun e Cërrikut”, Top Channel ka mundur të sigurojë dosjen hetimore, e cila tregon se si ai ra “pre” e kurthit të agjentëve të infiltruar. I njohur në rrjete sociale, në bisedën që “Ujku” ka bërë me një të ri në rrjetin social Instagram, shihet të reklamojë më së miri mallin e tij, ku thotë gjithashtu se tek ai blen i gjthë Cërriku.

Ky operacion, çoi në pranga qindra persona, duke shkatërruar 23 grupe të shpërndarjes së lëndëve narkotike në Tiranë, Durrës, Korçë, Elbasan dhe Vlorë.

Kanabisi që këta trafikantë tregtonin ishte i prodhuar me llamba dhe kushtonte 3000 lekë, tre herë më shtrenjtë se kanabisi klasik. Trafikantët e fusnin hashashin në konserva dhe më pas e shpërndanin.

Megaoperacioni vijon ende për lokalizimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të shpallur në kërkim.

Policia ka sekuestruar kanabis, kokainë, heroinë, ekstazi, armë zjarri dhe armë të ftohta, vlera monetare e aksesorë që shërbejnë për paketimin dhe shpërndarjen e lëndëve narkotike.

Dy ditë më parë, Top Channel zbardhi detaje nga dosja e përgjimeve për megaoperacionin e Policisë së Shtetit “Tempulli”, ku 3000 forca policie u angazhuan për arrestimin e mbi 233 personave në Tiranë, Durrës, Korçë, Elbasan dhe Vlorë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA