180 të lënduar në aksidente/ Gjatë muajit gusht janë rritur, në 96 % të rasteve fajtorë shoferët

18/09/2023 15:09

Një ditë pas aksidentit të rëndë të ndodhur në aksin Lushnjë-Fier ku nga përplasja e një autoambulance me një kamion ndërroi jetë pacienti 77-vjeçar si dhe u plagosën 3 të tjerë, policia ka vënë në pranga të 2 drejtuesit për veprën penale të shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor. 

Në pranga ra 54 vjeçari Flori Rami, shoferi i ambulancës pasi po lëvizte në korsinë e gabuar dhe 31 vjeçari Leonard Gjini, drejtuesi i kamionit pasi ka kryer manovër të gabuar duke u kthyer majtas.

Sjellja e gabuar e drejtuesve të mjeteve ka qenë dhe shkaktari më i madh i aksidenteve të ndodhura gjatë muajit gusht.

Gjatë muajit gusht të këtij viti në akse të ndryshme të vendit kemi vërejtur shtim të qarkullimit rrugor, çka ka ndikuar edhe në rritjen e numrit të aksidenteve. Vetëm këtë gusht në vend janë shënuar 117 aksidente nga të cilat kanë mbetur të lënduar dhe të vrarë 180 persona. Ajo që bie në sy nga ekspertiza e këtyre aksidenteve është se fajtor në 96 % të rasteve janë vetë drejtuesit e mjeteve.

Sipas të dhënave të INSTAT e hëna dhe fasha orare nga ora 19-24 kanë pasur më shumë aksidente të cilat më së shumti janë shënuar nga drejtuesit e mjeteve të moshave nga 35 deri në 44 vjeç.

Gushti për shkak edhe të fluksit të turistëve ka pasur më shumë aksidente se një vit më parë ndërsa përsa i përket statistikave të 8 mujorit vërehet një ulje e numrit të aksidenteve me 3%.

Nga janari deri në gusht në vendin tonë janë shënuar  770 aksidente rrugore.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA