“Mallin e ke super”/ Zbardhet dosja e përgjimeve! Si ranë në kurth trafikantët e drogës nga agjenti i infiltruar

16/09/2023 16:50

Zbardhet dosja e përgjimeve për megaoperacionin e Policisë së Shtetit “Tempulli”, ku 3000 forca policie u angazhuan për arrestimin e mbi 233 personave në Tiranë, Durrës, Korçë, Elbasan dhe Vlorë.

Top Channel ka mundur të sigurojë dosjen hetimore që tregon se si ranë në kurthin e agjentëve të infiltruar personat e arrestuar në megaoperacionin e Policisë së Shtetit. Nga audio-përgjimet, rezulton se tre shtetas, S. F, G. B dhe M. P, ishin përfshirë në mënyrë të drejtpërdrejtë në veprimtarinë kriminale të shitjes së lëndëve narkotike në qarkun e Elbasanit.

Burime për Top Channel pranë prokurorisë së Elbasanit bëjnë me dije se: “Më datë 07.09.2023, rreth ores 19.50 agjenti në mbulim me emrin e koduar “Koli” është nisur për në vendin e quajtur “Ura e Bushtricës” në Qukës të Librazhdit dhe ka marrë kontakt me shtetasin S. F. Ky shtetas i ka thënë që duhet të vinte më shpejt se shokët e tij po e prisnin prej 20 minutash. Kanë hipur në një automjet dhe janë nisur në drejtim të Librazhdit. Pa hyrë në qytet, kanë ndaluar në një servis makinash dhe aty kanë konstatuar një automjet me targa AA 511 YD brenda së cilit ndodheshin dy persona, njërit prej të cilëve shtetasi S. F i është drejtuar me emrin “Gia”.”

Sipas raportit të shërbimit, agjenti në mbulim i ka pyetur këta shtetas nëse është e mirë lënda dhe ata i janë përgjigjur të rrinte pa merak se ishte shumë e mirë. Agjenti ka blerë një sasi lënde narkotike rreth 0.49 gramë kokainë e pastër tek shtetasi G. B, ndërsa ishte prezent edhe shtetasi M. P..

Agjenti ka përshkruar në raport se sasinë e lëndës e ka blerë, e cila pas dorëzimit u sekuestrua nga ana e policisë gjyqësore.

Nga procesverbali mbi veprimet e vëzhgimit të fshehtë ambiental ka rezultuar ndër të tjera se “agjenti në mbulim ka shkuar në fshatin Qukës dhe ka ndaluar automjetin përpara lokalit të shtetasit S. F. Në këtë automjet ka hipur shtetasi S. F dhe të dy janë nisur në drejtim të Librazhdit.

Automjeti i tyre ka ndaluar tek një servis në afërsi të qytetit në anën e djathtë të rrugës nacionale. Automjeti ku ndodhej agjenti dhe shtetasi S. F është afruar pranë automjetit tip Golf. Shtetasit e ndodhur në këtë automjet kanë qenë M. P pasagjer dhe G. B shofer. Pasi kanë mbaruar veprimet me agjentin në mbulim, automjeti i këtyre personave është ndjekur deri në drejtim të Librazhdit.”

Nga procesverbali i tranksiptimit të bisedave të përgjuara në vende publike ka rezultuar këto komunikime:

B (G): Sa të duhen ty?

Agjenti (K): A është e mirë?

G: Dy të plota, ke dhe një zero dyshe…

K: Ok vetëm të jenë të mira

G: Mallin e ke super, ma kanë pëlqyer të gjithë.

K: O S është naj çik e mirë kjo?

S (S. F): Për zotin po, për kokën time.

K: Epo se ku e kam parë këtë cunin që mi dha mua…

S: Këtu rri ky në Librazhd.

K: Si e ka emrin ky ?

S: Gia.

K: Ishte dhe me një tjetër ky.

S: Ai është M. P.

Lexo edhe: Zbardhen audio-përgjimet/ Si ra “Ujku i Cërrikut” në kurthin e agjentit të infiltruar: Mallin e ke k***derr fare qafsha të gjithë

Lexo edhe: “Mall i mirë ai lal, maj içik erë”/ Zbardhet dosja e përgjimeve! Nga kanabisi tek kokaina, si ranë në ‘rrjetën’ e agjentit “K” shpërndarësit në Elbasan

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA