Censi i popullsisë dhe banesave pritet të nisë të hënën në të gjithë vendin.

Në Gjirokastër 177 anketues do të shpërndahen në 7 bashki për të regjistruar popullsinë rezidente dhe për të grumbulluar përmes vetëdeklarimit të dhëna që lidhen me numrin e banorëve, etninë, gjuhën, fenë, ekonominë, të ardhurat, standardin e jetesës.

Anketuesit do të drejtojnë rreth 78 pyetje të cilat pritet të japin të dhëna të rëndësishme jo vetëm me natyrë demografike por edhe të situatës së pronave dhe ekonomisë në territor. Gjirokastra edhe gjatë censit të kaluar për shkak të specifikës së lidhur me numrin e lartë të emigrantëve dhe popullsinë multietnike u bë baza e shumë pretendimeve për një proces jo të drejtë.

Drejtuesja e INSTAT për Gjirokastrën Mantha Zhapa tha se  anketuesit në minoritet do të jenë banorë të zonës dhe do ti drejtohen në greqisht atyre që nuk flasin shqip. Popullsia që do të deklarohet si rezidente do të regjistrohet si e tillë ndërsa banorët që do deklarojnë se jetojnë vetëm periudha të shkurtra në banesat e tyre nuk do të regjistrohen.

Procesi i anketimit për censin do të zgjasë deri më 30 Tetor dhe grupet e anketuesve do të paraqiten deri në tri herë në banesa duke lënë njoftime për regjistrimin.

Censi i popullsisë dhe banesave ka rëndësi themelore për rajonin pasi numri i popullsisë rezidente ka përcaktuar edhe shpërndarjen e granteve për bashkitë e vogla. Nga procesi i kaluar Dropulli ishte nja prej bashkive më të penalizuara ku u regjistrua si rezidente rreth 20% e popullsisë që figuron në gjendjen civile.

Procesi do të regjistrojë edhe të huajt me leje qëndrimi që jetojnë më shumë se 12 muaj në Shqipëri ndërsa regjistrimi për burgjet dhe shtëpitë e të moshuarve do të ketë një protokoll të veçantë. I gjithë procesi në qarkun e Gjirokastrës do të kërkojë edhe një numër të madh punonjësish socialë për të asistuar personat e moshuar të vetmuar apo personat me aftësi të kufizuara.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA