Shfrytëzoi momentin e parë kur kufijtë e Shqipërisë u hapën dhe erdhi për të vizituar vendin e sapo dalë nga komunizmi.

31 vite më parë, fotografi Hans Peter Jost, udhëtoi në fshatrat e Veriut duke fotografuar malësorët dhe sot pas kaq shumë vitesh u rikthye për t’u dorëzuar atyre fotot e shkrepura. Momentet e ri takimit, fotografi zviceran Hans Peter Jost, vendosi t’i dokumentojë përmes një filmi me metrazh të shkurtër të quajtur “Ku jeni ju”.

“Ky është një film me metrazh të shkurtër, që tregon historinë time për kërkimet që  kam bërë për fëmijët që kam fotografuar në vitin 1992. Është një fotografi me 5 fëmijë që më nxiti të bëj këto kërkime. Ajo foto më përcjell një ndjesi të veçantë dhe sa herë e shikoja të  varur në murin e zyrës, kisha merakun se çfarë ishin duke  bërë  ata fëmijë sot ndaj vendosa t’i kërkoj”, tha Hans Peter Jost.

Fotografi zviceran ka udhëtuar në çdo cep të  veriut, për t’i gjetur fëmijët e asaj kohe që sot kanë ndryshuar shumë. Një pjesë ka arritur t’i takojë sërish.

Me ndihmën e miqve shqiptarë dhe rrjeteve sociale, disa kam arritur t’i gjej. Sot ata 5 fëmijë bëjnë punë të ndryshme si murator, lulishtar apo fermer. Një pjesë jetojnë në Shqipëri ndërsa dy prej tyre i kam takuar në Londër. Ky film tregon për tranzicionin shqiptar dhe përmes tij kuptojmë se sa kanë ndryshuar njerëzit. Aty dallohen qartë vuajtjet dhe lodhjet e 30 viteve. Të gjithë njerëzit e asaj kohe që kam fotografuar nuk kanë patur një jetë të lehtë dhe këtë e kuptova kur i takova sot”, shtoi fotografi.

Hans Peter Jost, tregon se pjesën me të madhe të njerëzve që kishte fotografuar në fillimin e viteve ‘90, nuk ka arritur t’ua dorëzojë ende fotot sepse ata kishin emigruar dhe fshatrat ishin bosh.

Top Channel