“U ndjeva e poshtëruar”! Ngacmimet dhe sulmet seksuale në spitalet britanike/ Dëshmitë tronditëse të viktimave

12/09/2023 11:38

Kirurget gra thonë se janë duke u ngacmuar seksualisht, sulmuar dhe në disa raste përdhunuar nga kolegët në Shërbimin Shëndetësor Kombëtar në Britaninë e Madhe, sipas një analize.

BBC News ka folur me gratë që janë ngacmuar dhe sulmuar seksualisht.

Autorët e studimit thonë se ekziston një model, ku praktikantet vajza abuzohen nga kirurgë të lartë në spitalet shtetërore të Britanisë.

Kolegji Mbretëror i Kirurgëve tha se gjetjet ishin “me të vërtetë tronditëse”.

Analiza, nga Universiteti i Exeter-it, Universiteti i Surrey-t dhe Grupi i Punës për Abuzimet Seksuale në Kirurgji është ndarë ekskluzivisht me BBC News.

Gati dy të tretat e grave kirurge që iu përgjigjën studiuesve thanë se kishin qenë objektiv i ngacmimeve seksuale dhe një e treta ishte sulmuar seksualisht nga kolegët në pesë vitet e fundit.

Gratë thonë se kanë frikë se publikimi i të dhënave  do të dëmtojë karrierën e tyre dhe nuk kanë besim se NHS do të ndërmarrë veprime.

Judith kërkoi që BBC të përdorte vetëm emrin e saj të parë. Ajo tani është një kirurge konsulente me përvojë dhe e talentuar. Judith u ngacmua seksualisht në fillim të karrierës së saj, kur ishte person me më pak fuqi.

Në sallën e operacionit kur një kirurg po djersiste, sipas saj “u kthye dhe e futi kokën drejt e në gjoksin tim dhe kuptova se po më fshinte ballin, mendova pse është fytyra e tij në dekoltenë time”.

Kur e bëri për herë të dytë, Judith i ofroi t’i merrte një peshqir. Përgjigja e tij ishte “jo, kjo është shumë më argëtuese”, thotë ajo, “dhe kur buzëqeshi, u ndjeva e pistë, u ndjeva e poshtëruar”.

Akoma më keq për të ishte heshtja totale e kolegëve të saj.

“Ai nuk ishte as personi më i vjetër në sallën e operacionit, por ai e dinte se sjellja e tij ishte në rregull”, shprehet ajo.

Kjo ndodhi me Judith në mes të sallës së operacionit, por ngacmimi seksual dhe abuzimi seksual shtrihet përtej spitalit.

Një prej personave të tjerë të prekur që pranuan të flisnin për BBC është Anne.

Ngjarja ndodhi kur ajo ishte një praktikante dhe ai ishte konsulent, ndërsa ndodheshin në një konferencë mjekësore.

Sipas BBC, ai luajti me besimin e saj duke thënë se ajo nuk i njihte njerëzit e tjerë atje dhe se nuk mund t’u besonte atyre.

“Unë mendova se ai donte të flisja dhe megjithatë ai papritmas u kthye kundër meje dhe bëri seks me mua. Trupi im ngriu dhe unë mund ta ndaloja atë. Nuk është ajo që doja, nuk kishte qenë kurrë ajo që doja, ishte krejtësisht e papritur.”

Kur e pa atë të nesërmen, ajo “mezi e mbajti veten”.

Incidenti pati ndikim tek gjendja e saj emocionale dhe vite më vonë “kujtimi do të më vërshonte në mendje si një tmerr, si një makth” në punë, edhe kur ajo po përgatitej të operonte një pacient.

Raporti, i cili po publikohet në British Journal of Surgery, është përpjekja e parë për të kuptuar gjendjen. Kirurgët e regjistruar burra dhe gra u ftuan të merrnin pjesë në mënyrë krejtësisht anonime dhe 1,434 u përgjigjën. Gjysma ishin gra:

Bazuar në përgjigjet e tyre, rezultoi se 63% e grave kishin qenë objektiv i ngacmimeve seksuale nga kolegët; 30% e grave ishin sulmuar seksualisht nga një koleg; 11% e grave raportuan kontakte fizike të detyruara në lidhje me mundësitë e karrierës; të paktën 11 incidente përdhunimi janë raportuar dhe 90% e femrave dhe 81% e meshkujve ishin dëshmitarë të ngacmimeve seksuale.

“Gjetjet tona mund të tronditin besimin e publikut në profesionin e kirurgjisë”, tha Dr Christopher Begeny, nga Universiteti i Exeter.

Ndërkohë një raport i dytë, i quajtur “Thyerja e heshtjes, Adresimi i sjelljes së keqe seksuale në kujdesin shëndetësor” , po bën rekomandime për atë që duhet të ndryshojë.

Dy raportet sugjerojnë se përqindja relativisht më e ulët e grave kirurge (rreth 28%), e kombinuar me kirurgjinë që është thellësisht hierarkike, u jep disa burrave fuqi të mëdha dhe kjo kombinohet keq me mjedisin me presion të lartë të kirurgjisë.

 “Skenari më i zakonshëm është që një praktikante e re dhunohet nga një mjek, i cili shpesh është mbikëqyrësi i tyre”.

Tim Mitchell, presidenti i Kolegjit Mbretëror të Kirurgëve të Anglisë i tha BBC-së se gjetjet e sondazhit janë “thellësisht tronditëse dhe do të jenë një burim i madh turpi për profesionin e kirurgëve”.

Duke folur për programin BBC Radio 4 Today, ai pranoi se është “e qartë se është një problem i zakonshëm” që nuk është adresuar.

Dr. Binta Sultan, nga NHS Angli tha se raporti e bënte “leximin tepër të vështirë” dhe paraqiti “prova të qarta” se nevojiteshin më shumë veprime për t’i bërë spitalet “të sigurt për të gjithë”.

Shefi ekzekutiv i saj Charlie Massey tha se “veprimet në mënyrë seksuale ndaj pacientëve ose kolegëve janë të papranueshme” dhe se “sjellja e keqe serioze është e papajtueshme” me vazhdimin e praktikës së mjekësisë në MB.

Por a është salla e operacionit një vend i sigurt për të punuar gratë sot?

“Jo gjithmonë. Dhe kjo është një gjë e tmerrshme që duhet pranuar”, thotë Judith.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA