Zona të tëra të banuara janë marrë nga uji në qytetin port të Derna, ku dy diga ujëmbajtëse u shembën në rrethana të paditura në fundjavë.
Rreth 10 000 njerëz janë të humbur pas përmbytjeve të paprecedenta në Libi, njoftonte sot Kryqi i Kuq teksa masa gjigante e dëmeve në qytetin port Derna, po bëhet gjithnjë e më e dukshme.
Dy diga shpërthyen aty në fundjavë.
Ministri i administratës që kontrollon zonën e lindjes së Libisë tha se numri konfirmuar i viktimave i ka kaluar 3,000. “Numri i të humburve është në disa mijëra,” tha Othman Abdel Jalil për rrjetin vendas Al-Massar TV.
Zona të tëra janë marrë nga uji në Derna ndërsa 700 trupa janë grumbulluar në varrezat e qytetit në pritje për t’u identifikuar.
Hichem Chkiouat, ministër vendas i aviacionit civil në Derna foli për katastrofën: “Trupa shihen kudo. Nuk ekzagjeroj nëse them se 25% e qytetit është zhdukur. Shumë ndërtesa janë shembur”.
Shumë njerëz të dëshpëruar bënin apel në rrjetet sociale për të afërm të humbur, ndërsa të tjerë ishin të zemëruar me vonesat në dhënien e ndihmës.
Një avion ndihmash emergjence me 14 ton furnizime dhe 87 njerëz personal mjekësor u dërgua nga Benghazi në perëndim, për zonat e goditura nga përmbytjet, tha kreu i qeverisë së njohur të Tripolit, Abdul Hamid Dbeibeh.
Gjenerali Khalifa Haftar, i cili drejton ushtrinë në zonat lindore, i mbështetur nga Emiratet e Bashkuara dhe Egjipti, gjithashtu tha se ndihma janë në ardhje, shkruan rrjeti britanik TheGuardian.
Rezidenti Hudhayfah al-Hasadi, tha për rrjetin vendas Al-Hurra: “Uji i rezervuarëve kishte arritur lartësi të madhe dhe kur digat u shembën ishte si një bombë atomike që fshiu gjithçka, tetë ura e ndërtesa banimi u shembën menjëherë”.
Top Channel