Betohen në Presidencë ministrat e rinj/ Nisin punën Mazniku, Koçiu, Hasani, Manastirliu dhe Denaj

12/09/2023 11:00

Ora 10:30 e kësaj të marte i gjeti pesë nga gjashtë ministrat e rinj përballë presidentit Bajram Begaj për t’u betuar.

Një ceremoni e shkurtër e me një protokoll strikt ku nuk ka vend për surpriza,  në prezencën e zëvendës kryeministres, Belinda Balluku dhe anëtarëve të tjerë të kabinetit qeverisës.

Betimi i Igli Hasanit si ministër i Europës dhe Punët e Jashtme ndodhi në limitet kohore pasi do të duhet të udhëtojë pot sot, bashkë me presidentin Bajram Begaj dhe kryeministri Edi Rama drejt New York-ut,  për të marrë pjesë në asamblenë e OKB-s.

Ogerta Manastirliut iu desh të vendoste dorën mbi kushtetutë e të shqiptonte fjalën betohem për të dytën herë si ministre, kësaj here për të drejtuar arsimin sikurse edhe Anila Denaj e cila rikthehet në kabinetin qeveritar Rama 3,  si ministre e Bujqësisë.

Pas një eksperience të gjatë në drejtimin e administratës publike Albana Koçiu u betua për të marrë drejtimin e Shëndetësisë.

Betimi në presidencë e detyroi Arbjan Manznikun ministrin e  ri të Shtetit për Pushtetin Vendor, të heqë dorë nga veshjet sportive e mbase në paktat herë të vendoste kravatë siç e kërkonte protokolli.

Pas votimin në parlament në seancën e radhës Ervin Mete i dekretuar për të drejtuar Ministrinë e Ekonomisë dhe Financave duhet të presë ardhjen e presidentit Bajram Begaj nga SHBA, për t’u betuar e kompletuar ndryshimet në qeveri.

Të prezantuar nga sekretari i përgjithshëm në Kryeministri, Engjëll Agaçi pesë ministrat e ri nisën punën në ministritë respektive.

Ministrat e rinj që morën sot detyrën:

Zoti Igli Hasani, Ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme;

Zonja Albana Koçiu, Ministër i Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale;

Zonja Ogerta Manastirliu, Ministër i Arsimit dhe Sportit;

Zonja Anila Denaj, Ministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural;

Zoti Arbjan Mazniku, Ministër i Shtetit për Pushtetin Vendor.

FOTO GALERI
1/33

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA